Uragani Milton u përplas në bregun e Gjirit të Floridës të mërkurën mbrëma, duke e kthyer në tokë si një stuhi e fuqishme e kategorisë 3. Uragani intensiv shkaktoi tornado, hodhi shi në pjesën më të madhe të shtetit, la miliona pa energji elektrike dhe mori të paktën 16 jetë, përfshirë pesë njerëz në kontenë St. Lucie.
Shpejtësia e qëndrueshme e erës së Miltonit arriti kulmin në 289 km/h, përpara se të binte në rreth 193 km/h pranë Siesta Key – më pak se dy javë pasi uragani Helene arriti në tokë si stuhi e kategorisë 4.
Bëhet e ditur se Milton është uragani i tretë që godet Floridan këtë vit, shkruan CNN. Uji jashtëzakonisht i ngrohtë në Gjirin e Meksikës veproi si “karburant raketash” për uraganin, një fenomen që është bërë qindra herë më i mundshëm nga ndryshimet klimatike, sipas një analize të fundit nga grupi kërkimor jofitimprurës Climate Central.
Të dhënat satelitore tregojnë se temperaturat e sipërfaqes së detit në gji janë rreth 1 deri në 3 gradë Celsius më të ngrohta në këtë kohë krahasuar me mesataren afatgjatë për vitet 1985-2012.
Ndërsa shiu i Miltonit po shkakton përmbytje të mëdha dhe fryrje të lumenjve në nivele historike në disa vende, drejtoresha e FEMA Deanne Criswell tha se Florida shmangu skenarin më të keq.
Përpjekjet e ndihmave janë në vazhdim, duke përfshirë shpëtimin e të paktën 135 personave.
Sipas drejtorit të Qendrës Kombëtare të Uraganeve, Michael Brennan, shumë zona në Florida janë duke u rikuperuar nga pasojat e nxitura nga Milton.
Të paktën nëntë tornado hynë në kontenë St. Lucie, duke përfshirë tre në më pak se 25 minuta.
“Ne nuk kemi parë kurrë diçka të tillë më parë”, tha kryebashkiaku i Port St. Lucie, Shannon Martin.
“E di që nuk kam parë kurrë diçka të tillë më parë në gati 20 vjet që kam qenë këtu”, shtoi ai.
Kjo pasi në mbarë vendin, ka pasur më shumë se 30 tornado të raportuara me më shumë se 125 paralajmërime të lëshuara nga zyrat e Shërbimeve Kombëtare të Motit në Tampa Bay, Melburn dhe Miami.
Ky është paralajmërimi më i madh i tornadove ndonjëherë në një ditë të vetme në historinë e Floridas, duke mposhtur rekordin e mëparshëm prej 69 të vendosur gjatë uraganit Irma në vitin 2017.
Ndërsa amerikanët vëzhgojnë dëmet, më shumë se 3 milionë njerëz mbeten pa energji që nga mëngjesi i së enjtes.
Ndërprerjet e energjisë ishin më të rëndësishmet përgjatë bregut perëndimor, veçanërisht në qarqet Hardee dhe Highlands.
Që nga e premtja, më shumë se 2,200 stacione karburanti – rreth 29% – në të gjithë Floridan nuk kishin karburant, sipas platformës për përcjelljen e çmimeve të gazit GasBuddy.
Në zonat më të goditura, këto shifra ishin më të larta: gati tre të katërtat e stacioneve të karburantit në zonën e Tampas dhe Shën Petersburgut nuk kishin karburant që nga mesi i mëngjesit të së premtes dhe 54% në Sarasota ishin të thata.
Ndryshe, Milton u shfaq në fund të një sezoni të ngarkuar uraganesh në Atlantik.
Milton ishte uragani i pestë që ra në tokë në SHBA këtë vit, duke iu bashkuar Kategorisë 1 Beryl, Kategorisë 1 Debby, Kategorisë 2 Francine dhe Kategorisë 4 Helene.
Më shumë uragane kanë arritur në tokë këtë vit në shba sesa nga viti 2021 deri në vitin 2023 së bashku.