Yocheved Lifsitz, 85-vjeçarja izraelite që u lirua mbrëmë nga Hamasi ka treguar se si u rrëmbye nga grupi militant.
“Më vendosën në një motoçikletë anash që të mos rrëzohesha, me një terrorist që më mbante nga përpara dhe tjetri nga pas. Ata kaluan gardhin kufitar në Rripin e Gazës. Fillimisht më mbajtën në qytetin Abesan, afër Beerit. Më pas nuk e di se ku më kanë çuar”, thotë ajo duke buzëqeshur, ndonëse e shtrirë në shtrat.
Hamasi postoi një video në faqen e tij në Telegram që dyshohet se tregon, ndër të tjera, dorëzimin e Lifsitz në Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (ICRC).
Në video, ekstremistët e maskuar u ofrojnë çaj dy grave, ndërsa pak para se të hipë në makinën që do ta çojë në shtëpi, 85-vjeçarja shihet duke shtrënguar duart me njërin prej të armatosurve, duke uruar “selam”, paqe në arabisht.
Siç zbuloi nipi i 85-vjeçares për Reuters, ajo ishte aktivistë dhe ndihmoi palestinezët e sëmurë për vite me radhë.
“Për më shumë se një dekadë tani, çdo javë ata kanë marrë palestinezë të sëmurë nga Rripi i Gazës, jo nga Bregu Perëndimor, nga kalimi Erez në Rripin e Gazës dhe i çojnë në spitalet izraelite,” thotë ai.
/abcnews.al