Ndihmoi sirianin për shpërndarjen e narkotikëve/ Në hetim një efektiv, i dha automjetin për transportin e drogës

schedule11:01 - 18 Janar, 2024

schedule 11:01 - 18 Janar, 2024

Agjencia e Mbikqyrjes Policore ka nisur hetimet për një grup kriminal që merret me shpërndarjen e lëndëve narkotike, kryesisht në Tiranë, por edhe në disa qytete të tjera. Mësohet se dy ditë më parë në kryeqytet është arrestuar si shpërndarës droge një shtetas me origjinë nga Siria, por që ka edhe shtetësi shqiptare.

Burime nga grupi hetimor sqaruan se AMP ka dyshime të forta se ky person ka bashkëpunuar me persona të tjerë, mes të cilëve edhe punonjës policie. Nën hetim, deri në këtë fazë të hetimit është vënë një efektiv, i cili aktualisht punon në sektorin e antidrogës në Shkodër.

Por disa muaj më parë, po të njëjtën detyrë ai e ka ushtruar edhe në Policinë e Tiranës. Sipas burimeve, efektivi, emri i të cilit nuk bëhet publik për shkak të hetimeve, gjatë kohës që ushtronte detyrën në kryeqytet i ka dhënë automjetin e tij shtetasit sirian.

Hetuesit e AMP dyshojnë se pikërisht ky automjet është përdorur për transport të lëndës narkotike me qëllim shmangien e kontrolleve policore. Të njëjtat burime sqarojnë se hetimet po vijojnë për të zbuluar nëse ka efektivë të tjerë të përfshirë në këtë skemë kriminale ose jo./abcnews.al