Votuesi i Kosovës vërtetoi edhe një herë që është si ai mësuesi i sertë që të vë notën që meriton. Mundet të të vërë 10 sot dhe të të lavdërojë faqe klasës si shembull mençurie e pune, ama, pas dy ditësh të të vërë 4 e të linçojë publikisht për papregatitjen. Notat atje vihen sipas nxënies së mësimit, nuk mund të jenë të dhëna njëherë e përgjithmonë.
Më 14 Shkurt të këtij viti, fiks 9 muaj më parë, pas një fushate krejt pa përmbajtje dhe me sloganin mendjemadh “Krejt dhe Drejt”, LVV dhe Vjosa Osmani në një listë të përbashkët thyen tabunë historike të Kosovës, morën mbi 50% të votuesve të saj.
Isa Mustafa, Kryetari i LDK-së së asaj kohe kohë deklaroi me një naivitet emblematik:
“Të kisha me e ditë pse”…
Vota pro Albin Kurtit në fakt ishte një votë inatçore, votë kundërshtuese ndaj klasës së vjetër politike të Kosovës. Ishte votë kundër kapardisjes dhe injorimit të vullnetit të tij. Isa Mustafa pati deklaruar në 2020-ën: “Qeverinë nuk e zgjedh populli, atë e zgjedhin deputetët”. Sigurisht, Mustafa kishte të drejtë në parim, Qeverinë e zgjedh shumica parlamentare. Por, çdo votues që dëgjon këtë deklaratë përçmuese dhe sheh t’i zhbëhet vullneti, duke bërë koalicione përjashtuese me të ndëshkuarit e tij, mezi pret të të japë reston.
Dhe koha erdhi shumë shpejt. Në ditën e të dashuruarve Albin Kurti dhe Vjosa Osmani shënuan edhe momentin e tyre më të mirë politik.
LDK e mori leksionin. Edhe PDK gjithashtu. Të dy partitë kryesore të Kosovës zgjodhën Kryetarë të rinj nga gjenerata e re e tyre. Lumir Abdixhiku dhe Memli Krasniqi nuk e kishin stofin e liderit të fortë që polarizonte opinionin dhe ndante si me thikë votuesit. Jo, sot një votues i LVV-së mund të kalonte kollaj në LDK e ndoshta edhe në PDK. Ose e kundërta.
Politikat konstruktive të Abdixhikut në rastin e zgjedhjes së Presidentes duke marrë pjesë në votim dhe relaksimi i ambientit politik nga sjellja e drejtuesve të rinj të Partive politike e dha shpejt rezultatin. Kosova u kthye ku ka qenë, një bastion i askujt përveç mirëqeverisjes, përulësisë dhe bashkëpunimit.
Albin Kurti sot ka të tjerë rivalë. Nëse me qeverisjen e Thaçit apo PAN-it funksiononte retorika apo qëndrimet e forta nacionaliste të shoqëruara me dhunë, sot, Kurti, po ballafaqohet me një politikë tjetër e cila e ka gjetur gafil.
Pushteti është tjetër muzikë. Cilësia e deputetëve të VV është dukshëm më e dobët sesa kundërshatrët. Ndarja e Partisë i ka lënë vragë të thellë dhe ai duhet të gjejë sa më shpejt mënyrën për ta rikuperuar.
Rezultati nuk duhet të relativizohet nga VV. Nëse kërkohen yçkla justifikuese që tentojnë të përligjin rezultatin, atëherë mësimi nuk është marrë dhe ndëshkimi do të jetë edhe më dërrmues në zgjedhjet e ardhshme. Kurti duhet të hapë Partinë, të heqë vijat e kuqe të bashkëpunimit , të punojë me përulësi e të koordinohet me miqtë ndërkombëtarë në çdo veprim politik që kërkohet edhe vullneti i tyre.
Kosova është shtet i vogël, i ri dhe shumë i rrezikuar nga kapriçiot apo qëndrimet e forta. Një qëndrim i fortë ka kuptim ta mbajë një vend i fortë fundja. Nëse do i duhet të zgjedhë mes premtimeve euforike apo interesave të Kosovës duhet t’i sakrifikojë premtimet.
Nëse Kosova do të shkonte sot në zgjedhje të parakohshme askush nuk do ishte i sigurtë për rezultatin. Ajo është rikthyer në kohën e para revolucionit “Krejt dhe Drejt”. Eksperimenti dështoi, euforia mbaroi. Mësuesi ndëshkoi. Nëse nuk reflektohet më keq do të shkojë.
Është radhe e Albinit të marrë leksionin. /abcnews.al
Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!