Ndeshja në “Air Albania”, policia bllokon të shtunën rrugët rreth stadiumit

schedule13:50 - 15 Nëntor, 2024

schedule 13:50 - 15 Nëntor, 2024

Teksa ditën e shtunë pritet të luhet ndeshja e Ligës së Kombeve, mes Shqipërisë dhe Çekisë, Policia e Shtetit, ka bërë gati edhe një plan masash për mbarëvajtjen e kësaj sfide.

Policia njofton se janë 10 rrugë përreth stadiumit “Air Albania”, që do të ketë kufizime dhe do të bllokohet qarkullimi i automjeteve nga ora 15:00, deri në përfundim të ndeshjes, ditën e shtunë. Për sa i përket ekipit mik, policia do të bëjë shoqërimin e futbollistëve gjatë çdo lëvizje, që nga mbërritja në Rinas, akomodimi, gjatë ndeshjes dhe deri në kthimin e tyre sërish në Aeroport.

Ndërkohë Uniformat blu, do të ushtrojnë kontroll të imtësishëm ndaj tifozëve, për të mos lejuar lëndë piroteknike apo sende të tjera të forta. Policia u kujton tifozëve se veprimet e dhunshme përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga 50 mijë deri në 100 mijë lekë.

Hedhja e sendeve të forta në fushën e lojës ose mbi njerëzit, mbajtja apo përdorimi i lëndëve piroteknike, fishekzjarrëve, flakadanëve, gjatë zhvillimit të një aktiviteti sportiv, dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet. Një apel ka shkuar edhe për qytetarët që të mos bien pre e mashtrimeve me çmimet e biletave, apo falsifikimit të tyre.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!