Ndeshja ndaj Iranit, Spanjës i duhet fitorja

schedule17:47 - 20 Qershor, 2018

schedule 17:47 - 20 Qershor, 2018

Spanja luan sonte ndaj Iranit me synim arritjen e fitores së parë në Botëror. Pretendentja për titull nuk mund të bëjë më asnjë gabim, pas barazimit me Portugalinë.

Nuk u kënaqën plotësisht me të parën.

Tifozët spanjollë shpresojnë që skuadra e tyre të lerë pas përfundimisht krizën e stolit, dhe barazimin 3-3 ndaj Portugalisë e të nisë të fitojë në Botëror. Sfida e dytë e grupit B, është ajo ndaj Iranit, teorikisht e fitueshme, por që mbetet gjithsesi për t’u fituar në fushë.

Trajneri Hierro është i qetë të paktën nuk ka probleme fizike. Mbrojtësi Carvajal është shumë mirë ndërsa la pas dëmtimin e finales së Championsit, dhe është i disponueshëm. Hierro ndërkaq pyetet për duelin me ish-trajnerin e tij tek Reali, Carlos Queiroz-in e Iranit.

Fernando Hierro: “Po, është e vërtetë që e njohim Karlosin prej shumë kohësh, një njeri për të cilin është kënaqësi të flasësh dhe me të cilin të punosh. Keiroz ka krijuar një ekip të fortë dhe të bashkuar, në mbrojtje dhe në sulm. E dimë se Irani pëson pak gola, dhe shumë i rrezikshëm në goditjet standarde. Duhet të japim maksimumin për të fituar”.

Andres Iniesta, dashuria e gjithë spanjollëve, u pyet për ndikimin e ndryshimit të trajnerit, dhe u përgjigj duke thënë se “është një situatë që u përpoqëm ta kalonim sa më shpejt, një situatë jo e mirë”.

Ish-ylli i Barcelonës nuk pranoi kritika për mbrojtjen, duke thënë se është gjithë ekipi që mbron, jo vetëm katër lojtarët e prapavijës.

Irani është në pozitë më komode.

Fitorja ndaj Marokut e bën që të luajë edhe për barazimin, që dihet se do ta ketë shumë të vështirë, por me trajnerin Queiroz që nuk dorëzohet.

Carlos Queiroz: “Është kënaqësi të luajmë ndaj Spanjës, njërit prej kandidatëve kryesorë për të fituar Botërorin. Të gjithë lojtarët e mi e vlerësojnë shumë këtë mundësi dhe duan që ta luajnë siç duhet. Ne vijmë pas një fitoreje, por nuk duam të ndalojmë këtu. Nuk kemi ardhur në Botëror thjesht për të luajtur, por për të fituar ndeshjet”./abcnews.al