Shqipëria mund të arrijë rezultat pozitiv ndaj Francës, siç ka bërë në ta kaluarën. Ky është mendimi i futbollistit të kombëtares, Odise Roshi, ndërsa debutuesi Gjasula është i lumtur për grumbullimin.
Nuk është e lehtë të bësh parashikime, sidomos kur luan ndaj një rivali të tillë. Ky është lajtmotivi i Odise Roshit, njërit prej lojtarëve vërtet simbol të kombëtares së Shqipërisë.
Futbollisti i krahut, prej 8 vitesh pjesë e përfaqësueses, nuk dëshiron të flasë para kohe, ndërsa afron e 7 shtatori i duelit ndaj Francës.
“Tani ndihem shumë mirë. Kam mbaruar fazën përgatitore. Kemi bërë tetë ndeshje. Kur futem në fushë jap maksimumin dhe kuer shënoj është kënaqësi shumë e madhe për mua. Fryma është shumë e mirë, pothuajse edhe kur kemi qenë me De Biasin, Panuçin, por edhe me trajnerin e re”, tha Roshi.
Në çfarë forme është vetë Roshi, por edhe kombëtarja në prag të duelit europian?
“Edhe ata që janë në stol luajnë në ekipe shumë të mëdha. Franca ka një ekip shumë të mirë edhe duhet t’ia lemë fushës të japë rezultatin. Nuk është mirë të flasim do fitojmë apo do humbim. Ajo dihet me kë luajmë ne dhe çfarë duhet të bëjmë. Edhe me Francën kemi fituar në shtëpi, kemi marrë barazim atje”, tha Roshi.
Një debutues në ekip është Klaus Gjasula, mesfushori me tipare mbrojtëse, vëllai i Jurgen Gjasulës, që po arrin majat e karrierës në moshën 29-vjeçare.
“Është një kënaqësi për mua që jam këtu dhe kam prit për këtë ditë shumë gjatë. Tani ka ardhur dhe do jap maksimumin për të fituar. Dy vitet e fundit në futboll më kanë ecur shumë mirë dhe tani luaj në Bundesligë”, tha Gjasula./ABC News Albania 24/7