Ndeshja me Çekinë në horizont, kombëtarja e Shqipërisë vuan mungesat

schedule10:39 - 25 Shtator, 2023

schedule 10:39 - 25 Shtator, 2023

Ishte padyshim momenti më i keq.

Në prag të një ndeshjeje kaq të rëndësishme si ajo ndaj Çekisë, duhej që t’i kishim të gjithë të gatshëm, por firot tashmë kanë nisur.

Nga lista, sipas të gjitha gjasave, duhet të hiqet Ardian Ismajli, njëri nga mbrojtësit titullarë dhe më të rëndësishëm të kombëtares.

Futbollisti nga Kosova u dëmtua në ndeshjen e kësaj të diele mes Empolit dhe Interit, duke dalë nga loja në minutat e para të pjesës së dytë.

Sipas komunikatës së botuar nga vetë klubi toskan përcaktohet se lëndimi vërtet nuk është shumë i rëndë, një tërheqje muskulare, por që do të kërkojë minimalisht 20 ditë kohë për të kaluar.

Kjo do të thotë se trajneri Silvinjo nuk mund ta llogarisë Ismajlin për sfidën eliminatore të Europianit ndaj Çekisë që luhet në 12 tetor, pra pas 17 ditëve.

Një problem shtesë për mbrojtjen kuqezi pasi dihet se Marash Kumbulla mbetet i dëmtuar tek Roma.

Ndërkaq, ka alarm edhe për Sokol Cikalleshin.

Futbollisti që ka qenë në formë shumë të mirë këtë sezon tek Konjaspori në Superligën turke, nuk luajti këtë javë, në barazimin 1-1 në fushën e Ankaragyçysë.

Sulmuesi kavajas pësoi dëmtim në humbjen në shtëpi ndaj Rizesporit javën e kaluar dhe nuk dihet saktësisht se kur do të jetë gati./ h.ll/abcnews.al