NDESHJA E SOLIDARITETIT: Polemikat mënjanë, sot “luajmë dhe rindërtojmë së bashku”

schedule08:32 - 10 Janar, 2020

schedule 08:32 - 10 Janar, 2020

“Luajmë dhe rindërtojmë së bashku”. Sot duhen harruar debatet për listën, sot “Air Albania Stadium” duhet të ketë sa më shumë tifozë. Lojtarë nga Turqia, Greqia dhe Italia kanë pranuar ftesën e Sindikatës së Futbollistëve Profesionistë Shqiptarë dhe tani është radha e sportdashësve t’i përgjigjen ftesës.

Ora 18:00 hap dyert e stadiumit, ndërkohë që nuk do të ketë vetëm futboll. DJ Vin Veli, Finem dhe MC Kresha do të ndezin atmosferën në fillim dhe më pas nisin ndeshjet.

Dy ndeshje gjysmëfinale luhen të parat dhe ABC News mëson se e para do gjykohet nga Mario Shabanaj, e dyta nga Kridens Meta, kurse finalja nga një treshe femrash me në krye Emanuela Rustën.

Biletat kanë dalë në shitje prej ditësh, ndërkohë që personazhe jo vetëm të botës së sportit kanë bërë thirrje për pjesëmarrje masive. Kauza është fantastike: në ndihmë të familjeve të prekura nga tërmeti.

Për ta nuk shkojnë vetëm para, pasi lojtarët e të katër ekipeve do të zbresin edhe në terren për të parë pasojat e tërmetit të 26 nëntorit. Sot ata zbarkojnë në Thumanë për të takuar banorët, ndërsa në mbrëmje presin solidarizimin e shqiptarëve, të cilët duhet të jenë në stadium. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!