Ndeshja e Kupës Libertadores braktiset për shkak të dhunës

schedule21:28 - 29 Gusht, 2018

schedule 21:28 - 29 Gusht, 2018

Tjetër episod dhune në futbollin e Amerikës së Jugut. Një ndeshje në Brazil, e vlefshme për Kupën Libertadores, u detyrua të ndërpritej për shkak të sjelljes së tifozëve.

Po luanin dy prej skuadrave më të shquara të botës. Santos i Brazilit dhe Independiente e Argjentinës kanë fituar trofe thuajse aq sa Reali e Barcelona, veçse dhuna në Amerikën e Jugut, po i shkatërron. Ndeshja mes tyre e vlefshme për Kupën Libertadores u detyrua të ndërpritej 12 minuta para fundit, pasi për gjyqtarin ishte e pamundur të vazhdonte për shkak të sjelljes së tifozëve vendas.

Një pjesë e publikut brazilian hodhi sende të forta në fushë, duke protestuar ndaj asaj që e quajti padrejtësi të Federatës së Futbollit të Amerikës së Jugut, të njohur me inicialet CONMEBOL. Santosi e humbi ndeshjen e parë në Argjentinë në tavolinë, me rezultatin 0-3, pasi kishte aktivizuar një lojtar që ishte i pezulluar. Brazilianët protestuan duke treguar një rast kur River Plejti e kishte bërë diçka të tillë dhe nuk ishte dënuar, por CONMEBOL saktësoi se klubi argjentinas kishte marrë leje më përpara, diçka që nuk e kishte bërë Santosi.

Skandal ndoshta më i madh sesa sjellja e tifozëve ishte ajo e talentit adoleshent të Santosit, Rodrigo Goesh, i cili u filmua nga një kamera duke ofenduar CONMEBOL-in me fjalë të rënda. Rodrigo do të jetë lojtar i Realit të Madridit, por kjo do të ndodhë vetëm në vitin 2019, kur të mbushë 18 vjeç, por ka mundësi që deri në atë kohë të mbetet pa luajtur për shkak të ndonjë dënimi të ashpër që mund të marrë./abcnews.al