Erblina Mile
1.6 miliard euro janë pastruar nëpërmjet sektorit të ndërtimit në Shqipëri gjatë periudhës 2017-2019.
Ky është vlerësimi i bërë në një raport të fundit të “Nismës Globale kundër Krimit të Organizuar Ndërkufitar”e cila financohet nga projekti gjerman GIZ dhe Ministria e Jashtme Norvegjeze.
Në këtë raport theksohet se në fund të vitit 2019, çmimi mesatar i apartamenteve të banimit në Tiranë arriti në pak më shumë se 1,000 euro për metër katror të cilat janë çmime shumë të larta për të qenë të besueshme, në një vend ku rroga mesatare mujore është 420 euro.
Në Shqipëri në ndërtimet e reja klientëve u kërkohet gati gjithmonë që të parapaguajnë për hapësirën që do të zënë ambientet e tyre, dhe shitet përpara se të fillojë ndërtimi. Po ashtu kjo nismë konstaton se ky sektor vazhdon akoma të jetë i varur nga pagesat me para në dorë.
Sipas agjencive të pasurive të paluajtshme, 40–50 për qind e të gjitha shitjeve kryhen me para në dorë. Një tjetër element që shihet si matës i pastrimit të parave në këtë sektor është edhe niveli i kredive që jepen për sektorin e pasurive të paluajtshme të cilat rezultojnë shumë të vogla në krahasim me vlerën e ndërtimeve.
Në Shqipëri përllogaritet se afërsisht 500 milionë euro janë pastruar nëpërmjet sektorit të pasurive të paluajtshme në vitin 2019. Duke përdorur të njëjtën formulë edhe për vitet 2017 dhe 2018, shifrat respektive janë 320 milionë euro dhe 570 milionë euro.Në raport zbardhen disa skema në bazë të cilave veprohet.
Për të organizuar sistemin e pastrimit të parave, grupet kriminale identifikojnë kompani ndërtimi apo njerëz të biznesit në situata të vështira financiare, dhe u jepen shuma të mëdha parash për t’i investuar në projekte ndërtimi dhe blerje apartamentesh, nëpërmjet një marrëveshjeje informale (dhe zakonisht përdoret si garanci kërcënimi i përdorimit të dhunës) që apartamentet t’i kthehen mbrapsht grupit kriminal pas përfundimit të projektit.
Një mënyrë tjetër është përdorimi i parave të pista për të blerë aksione në një kompani ndërtimi në këmbim të apartamenteve pas përfundimit të ndërtimit. Manipulime me deklarimin e vlerës së apartamentit, apo projektit të ndërtimit, lejon që të pastrohen akoma më shumë fonde.
Nga 141 kompani që fituan leje ndërtimi për ndërtesa më të larta se gjashtë kate, gjatë periudhës 2017–2019, 59 për qind e tyre nuk i kishin burimet financiare për të përfunduar ndërtesat pasi . të ardhurat e tyre ishin minimale, dhe nuk kishin prona apo kredi që mund t’i lejonte që të kryenin investime të tilla. /abcnews.al/