TIRANË- Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dha detaje sa i takon punimeve për ndërtimin e Teatrit të Ri Kombëtar. Gjatë një interviste në ABC News, Veliaj u shpreh se aktualisht është punuar për të zhvendosur të gjithë rrjetin elektrik dhe kabujve, që kalojnë në atë zonë, por nuk la pa përmendur edhe zvarritjen e çështjes nëpër gjykata.
Ai theksoi se gjatë pranverës do ketë një volum të shtuar pune në këtë hapësirë.
“Momentalisht ne kemi zhvendosur të gjithë rrjetin elektrik të Tiranës. Spostimi i kabujve, i cili që kalon mespërmes atij territori. Kemi një VKM, që sposton të gjithë kabinat dhe rrjetin. Kemi zgjidhur çështjen e pronës aty. Pra, duket si çështje teknike. Çdo projekt po bllokohet dhe po çohet në gjykatë për të gjetur çdo lloj ceni të vogël, na është bërë e udhës të sqarojmë këto detaje dhe besoj se në këtë pranverë do kemi një volum të jashtëzakonshëm të punës aty, tani që janë zgjidhur këto cenet e fundit”, theksoi ai.
Kreu i Tiranës u ndal edhe tek një projekt tjetër, ai i Kopshtit Botanik. Ai i bëri thirrje Fakultetit të Shkencave të Natyrës që të vijojnë bashkëpunimin dhe ta shndërrojnë atë pjesë, në një hapësirë më të mirë për qytetin edhe për vetë shkencën.
“Është shumë normale. Shiko, në demokraci bime dakord të mos biem dakord. Edhe unë e di, edhe pak prej të qenit ballkanas, ne jemi pak cinikë edhe pak dyshues dhe çdo gjë ne themi e ka bishtin mbrapa. Ndërkohë nuk është kështu. Prova më bindëse për Kopshtin Botanik, është vetëm 100 metra larg, Kopshti Zoologjik. Sot bashkëpunimi që kemi me universitetin me Veterinarinë, me Zooteknikën, për të bërë aty praktika edhe me kafshë ekzotike që më parë nuk i kishim në Kopshtin Zoologjik të Tiranës. Është prova sesi komuniteti fiton një hapësirë, por edhe ata që duan të bëjnë shkencë në këto hapësira, kanë një bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, që sigurisht ka një krah financiar më të fuqishëm, sesa le të themi një fakultet modest, ose një shkollë publike, siç janë universitetet për të cilat po flasim. Kështu që ftesa ime, dora e shtrirë për Shkencat e Natyrës, është t’i lëmë partitë jashtë, t’i lëmë gjyqet edhe këto cic-micet, në finale do të kemi një hapësirë që zbukuron qytetin, lidhet flora me faunën, pra botaniku me zoologjikun, por nga ana tjetër kemi edhe një mundësi ideale për të bërë shkencë. Ndërsa sot ne kemi vetëm një hapësirë, ku më shumë fitojnë rojet me fotot e dasmave që bëhen te Kopshti Botanik, sesa qyteti me një hapësirë fantastike.”, tha ai.