Kryeministri Edi Rama thotë se do të ketë persona përgjegjës në lidhje me lejet e ndërtimit, e nëse këto leje do të shkelen, atëherë, faji nuk do të mbetet më anonim.
Në një konferencë për mediat, ku prezantoi paketën ligjore për mbrojtjen e territorit, Rama u shpreh se do të ketë gjoba, por edhe ndjekje penale për inspektorët që nuk kryejnë detyrën.
“Në këto raste, do të ketë sanksione dhe do jenë direkt për kryetarin e bashkisë, apo sekretariatin. Që ti të presësh dhe të mos thonë, hajde paguaj taksa, ose t’i shmangesh kësaj, duke luajtur me sy me autoritetin përkatës, është e patolerueshme. Janë ashpërsuar masat administrative që kanë të bëjnë me mosdeklarimin e punimeve, punime pa leje në zonat bregdetare, etij, ky ishte blloku i dytë. Te blloku i tretë, hyjnë monitorimi i lejeve, do sjellë ndryshim të qenësishëm të strukturës së monitorimit në tërësi. Surprizat që i kemi parë në forma më të ndryshme, të minimizohen maksimalisht. Çdo leje ndërtimi do lidhet me persona përkatës. Nuk do jetë më faji anonim. U ndërtuan 4-5 kate në mes të Tiranës, faji ishte anonim. Nuk do të jetë më kështu. Personat do përgjigjen për çdo certifikim të rremë në çdo fazë. Ka një sërë gjobash, në rast konstatimi të shkeljeve të ndërtimit. Pastaj është përcaktimi i një inspektori përgjegjës, që kontrollon ndërtimin gjatë gjithë procesit. Më tutje, është largimi i menjëhershëm nga detyra dhe kallëzim penal i inspektorëve, që nuk venë në dukje shkeljet. Nga denoncimet e qytetarëve, ka rezultuar që ndërkohë që në territor leja është shkelur, në bashki, akti i konstatuar i inspektorëve bashkiakë, çdo gjë ishte e rregullt. Kur provohet mosveprim, apo mbyllje e syve, masa është largim nga puna dhe kallëzim penal. Në rast se një denoncim është lënë sikur nuk ndodhi, direkt shkohet te përgjegjësia.”, theksoi ai./abcnews.al


