Sondazh

Lufta në Iran, a rrezikon të nisë Lufta III Botërore?

Loading ... Loading ...
 

Ndërron jetë Umberto Bossi, themeluesi i Lega Nord-it

schedule22:21 - 19 Mars, 2026

schedule 22:21 - 19 Mars, 2026

Umberto Bossi, themeluesi i Lega Nord, është ndarë nga jeta në moshën 84-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të rëndësishme politike.

Ai u shtrua në spitalin e Circolo-s në Varese, ku gjendja e tij ishte kritike. Bossi kaloi një periudhë në terapi intensive dhe më pas situata u përkeqësua, deri në ndarjen nga jeta mbrëmjen e sotme, rreth orës 20:30.

Mesazhet e ngushëllimeve kanë ardhur nga të gjitha partitë, duke vlerësuar rolin e tij historik dhe ndikimin e tij në politikën italiane.



Pier Ferdinando Casini e përshkroi Bossin si një “luftëtar të pamposhtur, një njeri i ashpër dhe i vështirë, por njëkohësisht thellësisht i mirë”. Pier Luigi Bersani shkruan se ishte “kundërshtari më dinjitoz që kam pasur dhe, në fund, personi për të cilin kisha dhe respekt”.

Presidenti i Friuli Venezia Giulia, Massimiliano Fedriga, e kujtoi Bossin si njeriun që “i dha formë një ëndrre për liri dhe shënoi rrugën mbi të cilën ecim sot”, duke shtuar se do të mbetet një udhërrëfyes për guximin dhe vendosmërinë dhe se kurrë nuk u përkul.

Ndërsa presidenti i Veneto-s, Alberto Stefani, e përshkroi si një “lider vizionar”. Beatrice Lorenzi, zëvendës presidente e senatorëve të PD-së, shprehu ngushëllime për komunitetin e Lega-s dhe theksoi se pavarësisht dallimeve politike, Bossi la një shenjë të rëndësishme në jetën publike dhe institucionet italiane.

Gian Marco Centinaio, nënkryetar i Senatit dhe senator i Legës, tha se për Legën “nuk është e lehtë t’i thotë lamtumirë” Bossit, duke shtuar se i ndjeri ka mbledhur rreth vetes një komunitet me ideale, parime dhe objektiva, që do të vazhdojnë të jetojnë falë ideve, që ai la pas.

Ministri i Mbrojtjes, Guido Crosetto, ndau kujtime personale nga puna dhe bashkëpunimi me Bossin, duke e përshkruar atë si një njeri me sens të fortë të realizmit, i drejtpërdrejtë, si dhe gjithmonë i mençur dhe me zemër të madhe.  Ai kujtoi një episode, në të cilin Bossi, edhe në momente tensioni politik, tregoi maturi dhe pragmatizëm.

Bossi do të mbahet mend jo vetëm si themelues i Legës dhe një figurë kyçe e politikës italiane, por edhe si një njeri që, pavarësisht polemikave, la një shenjë të thellë në jetën publike italiane.

Umberto Bossi ishte politikan italian dhe themeluesi i Legës Nord, parti që u bë një forcë kryesore politike në veri të Italisë dhe më gjerë. I njohur si “Senatur”, Bossi promovoi autonominë rajonale dhe identitetin e veriut të vendit.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!