Bota e futbollit është në zi pas vdekjes së një prej trajnerëve më të mëdhenj të historisë, Mircea Lucescu.
Legjenda rumune ka ndërruar jetë në moshën 80-vjeçare, pasi nuk arriti të mbijetojë pas një ataku kardiak që pësoi ditët e fundit.
Sipas burimeve zyrtare, Lucescu ishte shtruar prej disa ditësh në spitalin universitar, ku po merrte trajtim intensiv.
Gjendja e tij u përkeqësua pas problemeve shëndetësore që nisi të ndiente gjatë grumbullimit të kombëtares së Rumanisë, në prag të një ndeshjeje miqësore ndaj Sllovakisë, takim në të cilin ai nuk mori pjesë.
“I Lúce”, siç njihej ndryshe në botën e futbollit, pësoi atakun kardiak më 3 prill dhe që prej asaj dite nuk arriti të rikuperohej.
Mircea Lucescu do të kujtohet si një nga trajnerët më të suksesshëm dhe më jetëgjatë në futbollin europian, me një karrierë të pasur në pankinat e klubeve të mëdha dhe me ndikim të jashtëzakonshëm në zhvillimin e lojës.
Largimi i tij lë një boshllëk të madh në sportin ndërkombëtar, ndërsa homazhet dhe mesazhet e ngushëllimit kanë nisur të vërshojnë nga figura të njohura të futbollit dhe tifozë nga e gjithë bota.


