Ndërron jetë në moshën 78 vjeçare legjenda e futbollit Fatmir Frashëri

schedule20:17 - 19 Korrik, 2019

schedule 20:17 - 19 Korrik, 2019

Ka ndërruar jetë në moshën 78 vjeçare legjenda e futbollit shqiptar, Fatmir Frashëri. Ish mbrojtësi ka mbajtur veshur fanellën e dy skuadrave kryeqytetase Tiranës dhe Partizanit.

Futbolli shqiptar në zi. Pasditen e kësaj të premteje është ndarë nga jeta në moshën 78 vjeçare legjenda Fatmir Frashëri. Në karrierën e tij të lavdishme, Frashëri ka luajtur si mbrojtës në skuadrën e 17 Nëntorit të viteve ‘60 e më pas u transferua për dy sezone tek skuadra e Partizanit për të kaluar sërish tek Tirana në vitin 1964 deri në vitin 1972 kur mbylli karrierën. Legjenda e futbollit shqiptar ka fituar gjithësej 6 tituj kampionë, 4 me skuadrën e Tiranës dhe 2 me Partizanin.

Një nga kolosët e futbollit shqiptar përfaqësoi ngjyrat e kombëtares për 7 vite me radhë duke regjistruar 12 prezenca. Pasi mbylli aventurën si futbollist, Frashëri iu përkushtua rolit të trajnerit. Në katër periudha të ndryshme drejtoi skuadrën e tij të zemrës, Tiranën ndërkohë që aventurën si trajner e vazhdoi edhe tek Besa, Naftëtari dhe Dinamo ku arriti të fitonte një titull kampion.

Historia do ta mbajë mend legjendën shqiptare për sfidat në derbin e kryeqytetit kundër Panajot Panos dy prej futbollistëve më të dalluar në atë periudhë.

Ish mbrojtësi është vlerësuar me titujt “Mjeshtër i Madh” dhe “Mjeshtër i Merituar”. /ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!