Ndërron jetë gardiani në burgun e Shënkollit, pati probleme me zemrën, por nuk iu dha leje derisa mbaroi turnin

schedule10:41 - 30 Maj, 2022

schedule 10:41 - 30 Maj, 2022

Është ndarë nga jeta në moshën 62-vjeçare Gjovalin Frroku, me profesion gardian në Burgun e Shënkollit.

Vdekja e tij, ka sjellë edhe një reagim nga ana e Sindikatës së Shërbimeve Policore të Shqipërisë. Ata bëjnë përgjegjës mungesën e ndihmës nga ana e institucioneve në një kohë të shpejtë.
Sipas tyre, të ndjerit i është bërë një kontroll rutinë brenda burgut dhe nuk është lejuar që të dalë nga godina pa mbaruar turin, për të marrë ndihmë më të specializuar.

“Është lënë në gjendje të tillë deri sa ka mbaruar shërbimin dhe pastaj kolegët e kanë dërguar në urgjencën e spitalit të Lezhës, ku menjëherë e kanë orientuar për në urgjencën spitalore të Tiranës. Por, zemra nuk pret mbarim shërbimi e burokraci eprorë, pasi gjatë rrugës për në Tiranë, punonjësi ka ndërruar jetë”, thuhet në reagimin e Sindikatës së Shërbimeve Policore.

Ndër të tjera kërkon që të ketë protesta para institucioneve në Tiranë për shkak të problemeve shëndetësore të punonjësve të policisë dhe mungesës së mjekut të punës.

“Mungesa e mjekut të punës sipas ligjit, mungesa e trajtimit ushqimor, mungesa e uniformave, pagat e ulëta dhe demotivimi në shërbim, po sjellin pasoja të rënda! Nuk e dimë se sa do të vazhdojë kjo gjendje dhe kush mban përgjegjësi për situatën e krijuar ndër vite pasi deri më sot, ata që kanë hequr të drejtat legjitime të punonjësve, vazhdojnë të bëjnë shoë duke betonuar paudhësitë e tyre në kurriz të mijëra kolegëve me uniformë”, thuhet në reagim.

Sindikata e Shërbimeve Policore thotë se punonjësit në sistemin e burgjeve kërkojnë një datë proteste.

“Po tallen edhe me heqjen e taksës mbi pagën 30-40 mije lekë e përgjysmim të saj për pagat 40-50 mijë. VKM dhe kryeministri kanë folur qartë për gjithë Administratën Publike, ku bën pjesë edhe Policia Burgje, se me 1 Qershor fillojnë efektet në favor të punonjësve! Nëse nuk implementohet ky VKM në favor të Policisë së Burgjeve, Sindikata do shpallë datën e protestës dhe vendin ku do zhvillohet ajo! Dikush duhet dhe do mbajë përgjegjësi për situatën e rëndë që vazhdon prej vitesh!”, përfundon reagimi, ku shprehen edhe ngushëllime për familjen e punonjësit të policisë së burgjeve.

/abcnews.al/