E arrestuar dhe e lënë për ditë me radhë pa ujë dhe ushqime, një vajzë e mitur e ardhur përmes karvanit të emigrantëve nga Amerika qendrore ka ndërruar jetë në kufirin SHBA-Meksikë.
Një fëmijë 7 vjeç nga Guatemala që kishte kaluar ilegalisht kufirin SHBA-Meksikë me të atin ka vdekur pak orë pasi ishte ndaluar nga forcat amerikane. Vajza, që kishte mbërritur në Shtetet e Bashkuara javën e kaluar si pjesë e një grupi emigrantësh, vdiq si pasojë e dehidratimit dhe tronditjes – shkruan “Washington Post”. Ndërsa agjencia e lajmeve “Associated Press” citon oficerë kufitarë të thonë se e mitura kishte mbetur pa ushqim dhe ujë prej disa ditësh. Disa mijëra emigrantë kanë udhëtuar nga Amerika Qendrore drejt kufirit të Shteteve të Bashkuara. Ata kanë deklaruar se në këtë mënyrë i largohen varfërisë dhe dhunës në vendet e lindjes si Guatemalë, Honduras dhe El Salvador. Gjithashtu ata synojnë të vendosen në Shtetet e Bashkuara pavarësisht paralajmërimeve të autoriteteve amerikane se kushdo që hyn ilegalisht do të arrestohet, gjykohet dhe më pas dëbohet. Mediat amerikane saktësojnë se vajza kishte shfaqur probleme shëndetësore pasi ishte arrestuar në fundjavë bashkë me të atin dhe ishte dërguar me helikopter në spitalin e fëmijëve në El Paso. Në më pak se 24 orë pas shtrimit, e mitura pësoi një atak kardiak dhe ndërroi jetë – vijon shtypi amerikan që citon zyrtarë të policisë kufitare. Tensionet janë rritur ndjeshëm në kufirin SHBA-Meksikë, që nga mbërritja e 7 mijë e 500 emigrantëve në javët e fundit. Muajin e kaluar, agjentët amerikanë përdorën gaz lotësjellës ndaj një turme emigrantësh, mes të cilëve fëmijë, për t’i penguar që të kalonin kufirin. Agjentët deklaruan se ishin detyruar të reagonin pasi emigrantët i kishin goditur me gurë. Sidoqoftë, kritikët akuzojnë administratën e presidentit Trump për një përgjigje agresive; ndërsa Meksika ka kërkuar një hetim të ngjarjes. /abcnews.al