Vendimi i fundit i Shqipërisë për të ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Iranin ishte tema e dytë e emisionit “Ballkan” në abc të gazetares Linda Karadaku.
Në një lidhje me Skype, eksperti i sigurisë Arjan Dyrmishi, i pyetur nga gazetarja Karadaku se a ishte i guximshëm ky vendim i Shqipërisë, ai tha se vendi ynë ka vepruar sipas Konventës së Vjenës, kur bëhet fjalë për vendosjen apo ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike.
Sipas Dyrmishit është e vështirë në rastin konkret që të thuhet se sulmi erdhi direkt nga Irani, pasi shtete si Irani, Koreja e Veriut apo dhe Rusia përdorin grupe të treta për të vepruar.
Ndërkohë Dyrmishi nuk përjashtoi as mundësinë që këto grupe të hakmerren.
Pjesë nga biseda:
Karadaku: Ne pamë në revistën Ballkanike që kishim një qëndrim të qartë të Shqipërisë në lidhje me Iranin, duke ndërprerë marrëdhëniet diplomatike, shkaku janë sulmet kibernetike. Arjan kemi një vendim drastik të qeverisë shqiptare që pason një tjetër vendim drastik të qeverisë iraniane me sulmet kibernetike. A është një vendim i drejtë ky i Shqipërisë?
Dyrmishi: Nuk mendoj se është diçka kaq e paimagjinueshme pasi Konventa e Vjenës i përcakton procedurat për vendosjen apo ndërprerjen e marrëdhënieve kur vendet shohin se nuk ka reciprocitet. Në këtë aspekt vendimmarrja e Shqipërisë është në përputhje me Konventën e Vjenës. Shqipëria e ka bërë këtë edhe gjatë luftës së ftohtë duke ndërprerë marrëdhëniet e me Bashkimin Sovjetik. Pas Luftës së II Botërore ndërpreu marrëdhëniet me SHBA dhe Britaninë. Pra ky vendim nuk është një vendimmarrje me përmasa të mëdha. Në kontekstin më konkret asaj nëse konsistonte arsyeja për këtë lloj vendimi, kjo është diçka e re, pasi bëhet fjalë për një domain të papërcaktuar. Nëse do të kemi parasysh marrëdhëniet ndërkombëtare janë të bazuara në sovranitetit e vendeve. Kurse në hapësirën kibernetike, për arsyen se si funksionojnë rrjetet është e paverifikueshme lehtësisht identiteti territorial, kështu që sfida është e vështirë për t’ia atribuuar një vendi të caktuar këtë lloj përgjegjësie. Pasi siç thuhet nga vetë analiza e Microsoft thuhet se janë përdorur aktorë të tretë jo shtetërorë. Nga ana e Iranit mund të konsiderohet jofunksional ky vendim. Nga ana tjetër ashtu siç edhe faktikisht është e vërtetuar që këto grupe operojnë nga analizat që bëjnë kompanitë në rrjet, kjo është mënyra se si vendet operojnë. Edhe Koreja e Veriut, Kina, Rusia përdorin një grup të tretë. Kjo nuk ka për tu pranuar nga Irani, por grupet që e kanë bërë nuk përjashtohet të bëjnë veprime hakmarrëse në vijim.
/Abcnews.al/