Sipas një parashikimi nga pesë institutet kryesore kërkimore ekonomike gjermane, ndërprerja e furnizimit me gaz rus mund t’i kushtojë Gjermanisë një total prej 220 miliardë eurosh, duke shkaktuar dëme të mëdha ekonomike si në vitin 2022 ashtu edhe në vitin 2023, shkruan CNN.
Kjo do të ishte e barabartë me më shumë se 6.5% të prodhimit vjetor ekonomik të Gjermanisë.
“Nëse do të ndërpriteshin furnizimet me gaz, ekonomia gjermane do të pësonte një recesion të mprehtë”, tha Stefan Kooths, nënkryetar dhe drejtor kërkimi për biznesin në Institutin e Kielit për Ekonominë Botërore.
Institutet ulën rritjen e PBB-së për vitin 2022 nga 4.8% në 2.7% për shkak të luftës së vazhdueshme në Ukrainë dhe pasojave të saj ekonomike dhe presin që inflacioni të arrijë në 6.1% në 2022, shifra më e lartë në 40 vite.
“Në rast të ndalimit të furnizimit me gaz, inflacioni do të rritet në 7,3 për qind, një rekord në Gjermaninë e pasluftës”, thuhet në njoftimin për shtyp.
Në fund të marsit, Gjermania lëshoi një paralajmërim për mungesat e mundshme të gazit natyror për një mosmarrëveshje pagesash me Rusinë që mund të çojë në reduktimin e energjisë, duke u kërkuar të gjithë konsumatorëve që të reduktojnë sa më shumë përdorimin e tyre.
“Procesi i rimëkëmbjes në ekonominë gjermane do të jetë i ngadaltë.” theksoi Kooths.
/abcnews.al