Ambasadorët e shteteve perëndimore në Kosovë shprehën shqetësimin e tyre pasi dëshmuan dështimin për të konstituuar Kuvendin për herën e 52-të.
Ambasadori i BE në Kosovë, Aivo Orav, tha pas përfundimit të seancës se Kosovës i duhet një Kuvend menjëherë dhe theksoi nevojën për një qeveri të re që do t’i forconte marrëdhëniet me Brukselin.
“Një qeveri e re që do ta ndërtojë një urë të re dhe të fortë mes Kosovës dhe BE”, tha Orav.
Një qëndrim të ngjashëm pati edhe ambasadori gjerman Jorn Rohde, i cili tha se klasa politike po dështon përballë qytetarëve.
“Qytetarët dolën për të votuar më 9 shkurt dhe tani janë bërë gati gjashtë muaj. Është fatkeqësi që Kuvendi nuk po konstituohet”, tha ai.
Ambasadori britanik në Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves përmes një postimi në Facebook bëri thirrje që deri ditën e shtunë liderët politikë të gjejnë konsensusin për të kaluar këtë situatë.
“I lutem politikanëve të Kosovës të bëhen bashkë dhe të gjejnë një zgjidhje për t’i dhënë fund bllokimit para se të përfundojë afati i Gjykatës Kushtetuese. Ndryshe Kosova po hyn në territor të pashkelur dhe qytetarët e saj vazhdojnë të humbasin përfaqësimin domethënës politik dhe aftësinë për të marrë vendime të rëndësishme, të cilat ndikojnë në jetën e qytetarëve”, ka thënë ambasadori britanik në Kosovë Jonathan Hargreaves.
Përfaqësuesit ndërkombëtarë nga Shtetet e Bashkuara, BE, Gjermania, Britania e Madhe dhe Franca ishin të pranishëm në seancën e së premtes, e cila dështoi.
/abcnews.al/

