Ndërkombëtarët në mbrojtje të Izraelit, Sunak: Hamas përgjegjës për sulmet e tmerrshme

schedule11:21 - 10 Tetor, 2023

schedule 11:21 - 10 Tetor, 2023

Janë të shumtë vendet që kanë shprehur mbështetjen ndaj Izraelit, duke dënuar sulmet e Hamasit. SHBA-të, Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe Italia në një deklaratë të përbashkët kanë njoftuar se do të ndihmojnë Izraelin të përballet me agresionin e militantëve të hamasit.

Kryeministri britanik, Rishi Sunak deklaroi se do të qëndrojnë në krah të izraelit.

“Grupi Hamas është plotësisht përgjegjës për këtë sulm të tmerrshëm. Ata nuk janë militantë, ata nuk janë luftëtarë të lirisë, ata janë terroristë. Dhe ju premtoj, Britania e madhe nuk do të ndalet në asgjë për t’ju mbajtur të sigurt,” tha ai.

Nga ana tjetër Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, dënoi sulmin e Hamasit ndaj Izraelit, por tha se është thellësisht i shqetësuar me rrethimin e plotë që Izraeli i ka bërë Rripit të Gazës.

Gjithashtu Turqia ka shprehur gatishmërinë të shërbejë si ndërmjetëse mes dy vendeve.

“Dëshiroj të them se Turqia është e gatshme për çdo lloj ndërmjetësimi, përfshirë edhe shkëmbimin e të burgosurve, nëse palët e kërkojnë këtë. Shkatërrimi i Gazës nga sulmet ajrore dhe tokësore, bombardimi i xhamive dhe vrasja e fëmijëve, grave, të moshuarve dhe civilëve të pafajshëm nuk janë të pranueshme.

Ne besojmë se nuk do të ketë paqe në rajon pa krijimin e një shteti të pavarur dhe sovran të Palestinës me integritet gjeografik, brenda kufijve të vitit 1967, me Jerusalemin si kryeqytet”, tha Erdogan.

Ndërkohë numri i të vdekurve palestinezë pas sulmeve izraelite është rritur në 687, ndërsa të lënduarit janë 3726. Numri  i viktimave izraelite vazhdon të rritet dhe ka arritur në 900, ndërsa 2500 të tjerë janë plagosur, shumë prej tyre në gjendje të rëndë.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!