Ndërkombëtarët në Kosove apel për miratimin e demarkacionit

schedule12:32 - 5 Dhjetor, 2017

schedule 12:32 - 5 Dhjetor, 2017

Pas Podgoricës dhe ndërkombëtarë në Kosovë bëjnë apel për miratim sa më të shpejtë të marrëveshjes për demarkacionin me Malin e zi duke thënë se dokumenti i firmosur para dy vitesh nga të dyja palët është plotësisht i saktë.

Zyrtarë të Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, të Ambasadës së Francës e Norvegjisë deklaruan për mediat në vend se deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të miratojnë variantin aktual të Demarkacionit, pasi Marrëveshja e vitit 2015 ruan besueshmërinë ndërkombëtare të Kosovës. Pavarësisht raportimit të Komisionit të Ri për Shënjimin e Kufirit me Malin e Zi, i cili konstatoi se Kosova humb territor nga versioni aktual i Demarkacionit, përfaqësuesit e huaj diplomatikë në Kosovë kanë thënë se kjo marrëveshje është e saktë dhe si e tillë duhet ratifikuar. Madje, sipas tyre, komisionet e mëparshme (duke përfshirë edhe atë ndërkombëtar) kanë bërë një ekzaminim të përgjithshëm rreth kësaj marrëveshjeje që tregon për saktësinë e kësaj marrëveshjeje. Ambasada e Francës në Kosovë theksoi se pala kosovare dhe ajo malazeze kishin rënë dakord për nënshkrimin e marrëveshjes dy vjet më parë. Dhe njëherë më shumë vihet në dukje se ratifikimi I kësaj marrëveshjeje në parlamentin kosovar është një kusht I rëndësishëm që vendi të përfitojë liberalizimin e vizave. Dhe ambasada norvegjeze në prishtinë është në të njëjtën linjë duke thënë se komisionet e mëparshme si në Kosovë, ashtu edhe në nivel ndërkombëtar, kanë bërë një ekzaminim gjithëpërfshirës, tërësor dhe objektiv të demarkacionit të kufirit midis Kosovës dhe Malit të Zi./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!