Nga Dorina Kurtaj – Nuk mungojnë akuzat sipas të cilave Interpol në shumë raste përdoret nga regjimet autoritare për të përndjekur disidentë apo kundërshtarë politikë të regjimit. Edhe pse sekretari i përgjithshëm mohon të ketë ndërhyrje politike. Por si funksionon në të vërtetë kjo organizatë?
Para pak ditësh në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe, u mbajt asambleja e 87 e përgjithshme e Interpol, organizata ndërkombëtare e policisë kriminale. Në takim morën pjesë më shumë se një mijë delegatë që vinin nga 195 vende të ndryshme, mes të cilëve 40 ministra e 85 krerë policie. Çështja më e rëndësishme që u diskutua ishte zgjedhja e presidentit të ri, ai që zëvendësoi kinezin Meng Honguei, i arrestuar në shtator të këtij viti nga autoritetet kineze gjatë një udhëtimi nga Lion në Kinë. Meng u zhduk për disa ditë, deri sa në 7 tetor, nga Kina erdhi lajmi se ai u arrestua për korrupsion. Në të njëjtën ditë Interpol deklaroi se kishte pranuar dorëheqjen e tij nga posti, në mënyrë të menjëhershme.
Rrethanat që sollën dhe arrestimin e Meng, u cilësuan si të dyshimta që në fillim dhe shkaktuan polemika për mungesën e transaprencës në Interpol por dhe për rolin që regjimet autoritare kanë brenda organizatës.
Interpol që selinë e ka në Lion të Francës, u krijua në vitin 1923 me objektivin për të lejuar bashkëpunimin e policisë së shteteve të ndryshme anëtare për lokalizimin dhe arrestimin e kriminelëve, ose të atyre që dyshohen si të tillë, që ndodhen në vende të ndryshme të botës. Këtu duhet specifikuar se nuk është Interpol që lëshon mandate arresti ndërkombëtare por policitë e shteteve anëtare, e në disa raste, OKB apo një gjykatë ndërkombëtare, që i sinjalizojnë Interpol-it një individ të dënuar apo të dyshuar se ka bërë një krim. Mjeti më i njohur që përdoret nga INTERPOL është “alarmi I kuq”; kërkesa për të lokalizuar, arrestuar dhe ekstraduar një kriminel apo të dyshuar si të tillë, të cilit I shtohen dhe shtatë të tjerë, secili i shoqëruar me një kërkesë të veçantë. Përveç kësaj është dhe “Shpërndarja” më pak formale se “alarmi” por që kërkon gjithësesi arrestimin apo lokalizimin e një personi që është object hetimi nga policia.
Pikërisht alarmi i kuq dhe shpërndarja janë kthyer vitet e fundit, në mjetet më të përdorura nga regjimet autoritare për të përndjekur individë me qëllime politike. Për të dhënë një ide të përhapjes së fenomenit, mjafton të thuhet ka një dyfishim të numrit të personave për të cilët janë përdorur këto mjete. Jago Rassell, kreu i “Feir Trajëls Internashionël”, një grup me seli në Londër që merret me mbrojtjen e të drejtave të njeriut, shprehet se këto mjete kanë lejuar disa qeveri që të krijojnë një klimë frike, duke ia ndaluar disidentëve dhe aktivistëve politikë që të ndihen të sigurtë dhe jashtë vendeve të tyre.
Shqetësues sidomos është dhe sistemi i reklamimeve për të kundërshtuar alarmet. Me këtë merret komisioni për kontrollin e të dhënave. Një organ që duhet të jetë teorikisht i paanshëm, por, sipas Finansial Tajms, nuk është aspak i pavarur e aq më pak transparent. Në këtë komision bëjnë pjesë përfaqësuesit e vetëm pesë shteteve: Rusi, Angolë, Moldavi, Argjentinë dhe Finlandë. Këto reklamime mund të bëhen vetëm me anë të postës
Në muajin prill, asambleja parlamentare e këshillit të europës, organizatë e krijuar në viton 1949 e që nuk ka fare të bëjë me bashkimin europian, lavdëroi Interpol për disa nga reformat e bëra, por njëkohësisht dhe e akuzoi se përdoret nga disa shtete për të përndjekur objektiva politikë. Kritika të ngjashme janë bërë në Shtetet e Bahskuara të Amerikës, në mënyrë të vecantë drejtuar Rusisë, që ndër të tjera është dhe një nga vendet anëtare në komisionin për kontrollin e të dhënave. Luiz Shelli, pedagoge në Xhorxh Mezën Universiti, në Xhorxhia, dhe eksperte në fushën e të drejtës ndërkombëtare dhe krimit ndërkombëtar, u shpreh për Financial Tajms se personat që punojnë në Interpol e kuptojnë se ai po bëhet gjithnjë e më shumë një organizatë më e politizuar. Çdo gjë nisi me shtetet autoritare më të vogla, por tani janë përfshirë dhe disa nga shtetet më të fuqishme në botë që po abuzojnë gjithnjë e më shumë.
Një rast që tregon më së miri pushtetin e regjimeve autoritare, është ai i Bill Brouder, një financier i cili në Shtetet e Bashkuara të Amerikës drejtoi një fushatë shumë të ashpër kundër regjimti rus, puna e të cili bëri që në vitin 2012 kongresi amerikan të miratojë ligjin e quajjtur Magnitski Akt. Ky ligj i ndalon hyrjen në territorin amerikan shtetasve rusë të akuzuar për shkelje të të drejtave të njeriut, dhe publikimin e emrave të tyre.
Në maj të 2018-ës, ndërsa ndodhej në Spanjë, Brouder u mor nga dhoma e hotelit nga dy agjentë policie që po zbatonin një mandat arresti ndërkombëtar ndaj tij të lëshuar nga Rusia. Brouder akuzohej se kishte financuar fushatën elektorale të Hilari Klinton në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në 2016-ën. Një financim që sipas Moskës ai e kishte bërë me para të fituara në Rusi pa paguar taksa. Brouder u la i lirë pak orë më vonë, por nuk ishte hera e parë që Rusia përpiqej ta arrestonte duke përdorur Interpolin. Brouder i cili mendon se historia mund të përsëritet u shpreh se nëse ka një rast që tregon qartë se Interpol nuk funksionon, atëherë ai është rasti i tij. Kjo sepse Interpol nuk është në juridiksionin e askujt, dhe ka imunitet absolute ndaj cdo kundërshtimi.
Por ai i Brouder është një nga shumë rastet që vitet e fundit kanë vënë në dyshim paanshmërinë e Interpol. Para tij ishte radha e Dogan Akhanli, shkrimtar gjerman i lindur në Turqi i cili kishte kritikuar presidentin turk Erdoğan: Akhanli u arrestua në Spanjë pas një kërkesë të qeverisë turke në Interpol. Edhe Nikita Kulacenkov, i konsideruar shumë pranë Aleksei Navalni, kundërshtari më i njohur i presidentit rus Vladimir Putin, u arrestua në Qipro në vitin 2016 pasi kishte vjedhur një objekt që kushtonte 1 euro e 40 cent.
Sipas Jürgen Stock, sekretar i përgjithshëm i Interpol që nga viti 2014, organizata nuk ka asnjë problem me ndërhyrje politike dhe ka vepruar gjithnjë në besim të plotë dhe me rregulla të qarta. Stock këmbënguli se organizata po punon për të përmirësuar shërbimin e saj, duke premtuar për shembull se do të intensifikohet puna e komisionit për kontrollin e të dhënave me krijimin e një “task force”, me qëllimin për të kontrolluar nëse një kërkesë për arrestim vjen nga arsye politike. Por pavarësisht këtyre premtimeve, shqetësimet janë ende në fuqi.
Dhe pse vëmendja e ditëve të fundit u përqendrua shumë në zgjedhjen e presidentit të ri, posti i Presidentit është më shumë për garanci dhe kontroll se sa operativ. Ai që kujdeset për menaxhimin e përggjithshëm është sekretari i përgjithshëm.
Sipas Nju Jork Tajms disa qeveri përfitojnë nga dobësitë e organizatës ndërkombëtare të policisë kriminale.
Endrju Higins, gazetar i Nju jork Tajms, ekspert për Rusinë, tregon me anë të një reportazhi, gjëra jo shumë të njohur për funksionimin dhe shtrembërimin e INTERPOL. Higins tregon se si disa shtete, mes të cilave dhe Rusia, kanë filluar të përdorin Interpol-in për të përndjekur kundërshtarët politikë duke shfrytëzuar dobësitë strukturore të organizatës. Është një cështje që bëhet dhe më e dukshme vitet e fundit, sipas tij, duke shkaktuar pasoja që biennë kundërshtim me misonin e kësaj organizate. Për shembull Interpol ka lejuar disa qeveri që të arrestojnë persona që kishin përfituar azil politik në një vend tjetër nga ai i origjinës.
Në pjesën më të madhe të kohës Interpol funksionon ashtu si duhet dhe i lejon policive të shteteve të ndryshme që të shpërndajnë informacione për kriminelë të rrezikshëm si vrasës, narkotrafikantë dhe mafiozë.
Ndërkohë asambleja e përgjithshme e Interpol e mbledhur në Dubai, zgjodhi koreano jugorin Kim Jong Jang, si president të organizatës së policisë kriminale ndërkombëtare. Kim fitoi ndaj kandidatit rus Aleksandër Prokopcuk, i cili ditët e fundit shihej si favorit nga shumë vëzhgues. Dhe për këtë arsye kishte ngjallur dhe shumë shqetësime.
Në këtë process votimi morën pjesë me qindra delegatë nga 195 vende të ndryshme të botës përfshirë dhe 85 krerë të policisë dhe ministra. Presidenti i ri u zgjodh pak javë pas arrestimit në Kinë të presidentit paraardhës të Interpol Meng Honguei, i zhdukur për disa ditë pasi u nis nga Franca për në Kinë. Ai u arrestua nga autoritetet kineze pasi akuzohet për korrupsion, dhe dorëheqja e tij u pranua menjëherë nga Interpol.
Çështja e Meng Honguei dhe mundësia se mund të zgjidhje një president rus, dhe shumë pranë presidentit Vladimir Putin, ngjallën kritika dhe shqetësime ndaj Interpol në përgjithësi sidomos për mungesën e transparencës në menaxhimin e organizatës. Vitet e fundit regjimet autoritare kanë marrë më shumë pushtet dhe kontroll brenda Interpol, duke komplikuar aktivitet e organizatë. Kim do të qëndrojë në këtë post për dy vjet, pra deri në fund të mandatit që i takonte paraardhësit të tij
Rusia nga ana e saj denoncoi presione të paprecedenta në zgjedhjen e koreanojugorit Kim Jong Jang si president i Interpol. Zëdhënësi i Presidentit të Rusisë Putin, Dimitri Peskov, u shpreh se nëse rikujtohen dhe njëherë deklaratat e bëra së fundmi në kryeqytete të ndryshme, mund të thuhet se zgjedhjet u organizuan në një atmosferë presioni dhe ndërhyrjesh të paprecedenta. Kim fitoi ndaj kandidaturës së gjeneralit rus Prokopcuk, i cili konsiderohet shumë i afërt me Kremlinin. /abcnews.al