Ndërhyrja në zgjedhje, Trump firmos urdhrin ekzekutiv

schedule22:42 - 12 Shtator, 2018

schedule 22:42 - 12 Shtator, 2018

Pavarësisht se e ka cilësuar një thriller ndërhyrjen ruse në zgjedhjet që e kurorëzuan president, Donald Trump ka firmosur një urdhër ekzekutiv që parashikon ndëshkimin e faktorëve të jashtëm që do të tentojnë manipulimin e zgjedhjeve politike të nëntorit.

Presidenti Donald Trump ka firmosur të mërkurën një urdhër ekzekutiv për mbrojtjen e Shteteve të Bashkuara nga ndërhyrja në zgjedhjet e brendshme. Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare, Xhon Bolton ka deklaruar se urdhri parashikon sanksionimin e aktorëve të jashtëm që përpiqen të kryejnë një akt të tillë. Mes masave që do të aplikohen përfshihen ngrirja e aseteve, kufizimi i aksesit në institucionet financiare amerikane dhe ndalimi i shtetasve amerikanë të investojnë në kompanitë e sanksionuara.

Vendimi i Trump përkon me paralajmërimet e agjencive të inteligjencës, atyre ligjzbatuese dhe ushtrisë, që po hartojnë planin e sigurisë për mbrojtjen e zgjedhjeve afatmesme të Kongresit, që mbahen më 6 nëntor. Por nga ana tjetër ai bie ndesh me kritikat që shefi i Shtëpisë së Bardhë i ka bërë grupit të posaçëm të çështjes “Rashagejt”, që po heton ndërhyrjen e Moskës në zgjedhjet presidenciale të 2016-s. Sanksionet mund të vënë në shënjestër individë, ose kompani që mund të ndërhyjnë përmes sulmeve kibernetike apo mjeteve të tjera.

Zgjedhjet e nëntorit kanë një rëndësi të veçantë pasi do të vendosin nëse presidenti Trump do të mund të mbajë mazhorancën në të dyja dhomat parlamentare, në Kongres dhe në Senat./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!