Ndërhyrja e mundshme e rusëve, SHBA rikonfirmon mbështetjen e fortë për Ukrainën

schedule20:41 - 19 Janar, 2022

schedule 20:41 - 19 Janar, 2022

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken rikonfirmoi të mërkurën në Kiev, mbështetjen e Uashingtonit ndaj Ukrainës, mes shqetësimeve të vazhdueshme për një ndërhyrje të mundshme ushtarake ruse. Vizita e zotit Blinken është pjesë e përpjekjeve për të zbutur tensionet me Moskën. Gjatë një interviste për Zërin e Amerikës zoti Blinken se Rusia do të përballej me “pasoja masive” nëse do të ndërmerrte një sulm ndaj Ukrainës.

Zoti Blinken tha në një intervistë për gazetaren e Zërit të Amerikës Myroslava Gongadze se Shtetet e Bashkuara i kanë ofruar Rusisë të bëjë zgjedhjen mes “diplomacisë dhe dialogut” nga njëra anë dhe “konfliktit dhe pasojave” nga ana tjetër.

“Do të ketë pasoja masive për Rusinë, nëse ajo ndërmerr përsëri agresion kundër Ukrainës. Ne kemi thënë gjithashtu se masat që po shqyrtojmë, shkojnë përtej hapave që kemi ndërmarrë në të kaluarën, përfshirë edhe vitin 2014. Nuk do t’i detajoj këtu hapat që ndërmarrim, por unë mund t’ju them se pasojat do të jenë të rënda”, tha ai.

Megjithatë në intervistën që e dha gjatë një vizite në Kiev për të shprehur mbështetjen ndaj Ukrainës, zoti Blinken tha se preferenca do të ishte zgjidhja paqësore.

“Preferenca është të shohim nëse mund t’i zgjidhim dallimet, shqetësimet përmes diplomacisë”, tha ai.

Më herët në një konferencë për shtyp në Kiev me homologun e tij Dmytro Kuleba, zoti Blinken tha se angazhimi i Shteteve të Bashkuara ndaj Ukrainës është “i palëkundur”.

“Ne vazhdojmë të konsolidojmë aftësitë e Ukrainës për t’u vetëmbrojtur dhe të bëjmë të qartë koston që SHBA dhe Evropa do të imponojnë ndaj Moskës nëse ajo kundërshton rrugën diplomatike që ne propozojmë”, tha ai.

Gjatë një takimi me presidentin ukrainas Voldymyr Zelenskyy, ai përsëriti angazhimin e Shteteve të Bashkuara ndaj “integritetit territorial” të vendit tij.

“Kërcënimi ndaj Ukrainës është i paprecedentë. Kështu që presidenti (Joe Biden) më kërkoi të nënvizoja edhe një herë angazhimin tonë ndaj integritetit territorial të Ukrainës, ndaj sovranitetit të saj, ndaj pavarësisë së saj.”

Zoti Zelenskiy falënderoi zotin Blinken për rritjen e ndihmës ushtarake nga Shtetet e Bashkuara për Ukrainën.

“Kjo ndihmë jo vetëm që demonstron mbështetjen ndaj planeve tona strategjike për anëtarësimin e Ukrainës në aleancën e NATO-s, por çka është më e rëndësishmja ajo forcon ushtrinë tonë dhe rrit burimet e ushtrisë sonë.”

Zoti Blinken tha se kërkesa si ajo për ndaljen e zgjerimit drejt lindjes së Evropës, janë jashtë diskutimit, por se SHBA mund të bisedojë me Rusinë për tema me interes reciprok. Blinken e viziton Ukrainën mes shqetësimeve për rreth 100 mijë trupa ruse të grumbulluara në kufi me Ukrainën.

Rusia mohon të ketë plane për një ofensivë të re ushtarake, por ka thënë se mund të ndërmarrë veprime të papërcaktuara ushtarake nëse Perëndimi nuk bie dakord me kërkesat e saj.

Pas vizitës në Kiev, Sekretari Blinken do të udhëtojë në Berlin për bisedime me aleatët përpara se të shkojë në Gjenevë për të takuar Ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov pasi negociatat javën e kaluar nuk dhanë rezultat. /VOA/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!