Buxhet historik (elektoral)/ Publikohet drafti për vitin e ardhshëm, 8.2 miliardë euro

schedule12:36 - 28 Tetor, 2024

schedule 12:36 - 28 Tetor, 2024

SHQIPËRI- Projektbuxheti per vitin e ardhshëm pritet të jetë më i madhi i viteve të fundit. Shpenzimet për vitin 2025 parashikohen  në vlerën e 8.2 miliardë euro ose 822.7 miliardë lekëve duke pësur një rritje të konsiderueshme me të paktën 600 milion euro në krahasim me këtë vit.

Sipas draftit të sapozbardhur parashikohet që të vijohet me financimin e një vëllimi të konsiderueshëm investimesh publike prej mesatarisht 6.1% të PBB, të cilat përqëndrohen në financimin e projekteve me rëndësi strategjike dhe të lidhura me planin e rritjes së BE-së.

Shpenzimet e planifikuara  i kushtojnë një vëmendje të veçantë dixhitalizimit, transportit, sigurisë kombëtare, shëndetësisë, arsimit dhe të bujqësisë e zhvillimit rural.Në projektbuxhetin e vitit 2025, programimi i të ardhurave buxhetore bazohet në përmirësimin e administrimit fiskal dhe minimizimin e informalitetit ne ekonomi. Të ardhurat buxhetore për vitin 2025 parashikohen në masën 754.6 miliardë lekë ose 28.8% e PBB-së.

Krahasuar me planin e rishikuar për vitin 2024, të ardhurat buxhetore për vitin 2025 parashikohen me rreth 40.6 miliardë lekë ose 0.2% e PBB më shumë. Po ashtu qevria parashikon një ulje të konsiderueshme të nivelit të borxhit publik  në rreth 55.8 për qind në vitin 2025. Sipas skenarit bazë, borxhi publik bruto pritet të bjerë në rreth 55.0 për qind në vitin 2026 dhe më tej në rreth 48.5 për qind në vitin 2031.

Për vitin e ardhshëm është parashikuar  edhe fondi për indeksimin e pensioneve në shumën prej 1.6 miliardë lekë ndërsa bonusi për fund vitin do të jetë në 3.75 miliardë lekë.

Ekonomia e vendit parashikohet të zgjerohet gjatë periudhës afatmesëm 2025-2027, mesatarisht në nivelin 3.9 për qind, ndikuar kryesisht nga kërkesa e brendshme, nga rritja e mëtejshme e konsumit privat, ashtu edhe nga investimet në infrastrukturë si dhe zhvillimi i sektorëve strategjikë si turizmi.

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!