Lamtumirë Lili Cingu! Homazhe në TKOB për mbretëreshën e valles shqiptare

schedule10:42 - 6 Shkurt, 2024

schedule 10:42 - 6 Shkurt, 2024

Mbretëresha e valles shqiptare, Liljana Cingu ndërroi jetë të hënën në moshën 74-vjeçare. Homazhet për nder të artistes së madhe po mbahen në Teatrin e Operas dhe Baletit në kryeqytet.

Valltarja e njohur e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore është nderuar me urdhrin “Mjeshtër i madh” për kontributin e dhënë.

Valltari Genc Kastrati në një komunikim të drejtpërdrejtë për ‘ABC News‘ ndau eksperiencën e tij me Cingun, si dhe takimin e fundit me të.

“Është ditë e trishtë për artin. Me Lilin ndajmë shumë emocione, por sigurisht që s’ka qenë vetëm një valltare e mirë, por një motër, shoqe dhe mikeshë e mirë. Lili Cingu mori pjesë në trajnimin e brezit të ri, ajo ishte si përgjegjëse dhe asistente për brezin e ri. Lili ishte një person që të motivonte që të ecje përpara. Takimi im i fundit me të ka qenë në spital. Një nga porositë e saj ishte që nuk mjafton thjesht puna, por duhet të bëhesh një me publikun. Figura të tilla është e vështirë të zëvendësohen.”, u shpreh Kastrati.

Cingu ka një karrierë të gjatë si valltarja kryesore e Teatrit të Operas dhe Baletit, veçanërisht në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore, përkrah emrave të mëdhenj të skenës. Ajo ka kërcyer valle nga të gjitha krahinat, duke i mbajtur ato gjatë për shumë dekada dhe duke i gdhendur në fondin e artë të artit shqiptar.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!