Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, zhvilloi homazhe në nder të shkrimtarit të shquar shqiptar me famë botërore, Ismail Kadare, në ceremoninë shtetërore të lamtumirës së fundit të organizuar në Tiranë.
Presidenti, i shoqëruar nga Zonja e Parë, vendosi kurorën me lule pranë arkëmortit të mbuluar me flamurin e Shqipërisë.
Begaj i përcolli ngushëllime bashkëshortes, Helena Kadare, dhe vajzave, Gresës e Besianës, dhe më pas shënoi në librin e ngushëllimeve vlerësimet për “Nderin e Kombit”.
“Shqipëria dhe shqiptarët përcjellin sot për në panteonin e përjetësisë gjeniun e tyre të letrave, Ballkani poetin e miteve të tij, Evropa dhe bota ndër përfaqësuesit më të spikatur të letërsisë moderne.
Falë talentit të rrallë dhe ndërgjegjes patriotike, Ismail Kadare fitoi për së gjalli statusin e privilegjuar të emancipuesit shoqëror dhe atij identitar.
Novator në stil, si dhe në gjuhë, së bashku me Nënë Terezën, ai u shndërrua në emblemën ndërkombëtare të Shqipërisë dhe shqiptarëve të kohëve moderne.
Ismail Kadare do të përkujtohet gjithmonë me nderim si promovues, si askush tjetër, i krenarisë kombëtare, veçanërisht i orientimit evropian të kombit shqiptar.
Lamtumirë, i madhi ynë!”, u shpreh presidenti Begaj./abcnews.al