Ndarja nga jeta e ish-Presidentit Nishani, Meta: Do kujtohet si personalitet me vlera të ralla

schedule15:04 - 28 Maj, 2022

schedule 15:04 - 28 Maj, 2022

Presidenti i vendit, Ilir Meta ka reaguar për ndarjen nga jeta të ish-Presidentit, Bujar Nishani ditën e sotme.

Përmes një postimi të ndjerë në Facebook, Meta shkruan se ish-Presidenti do të kujtohet si një personalitet me vlera të rralla. Duke i shprehur ngushëllimet familjes së tij, Meta shkruan se kontributi i tij për demokracinë do të kujtohet përherë.

Postimi i Ilir Metës:

“Me trishtim dhe hidhërim të thellë mora lajmin e largimit nga jeta të Presidentit Bujar Nishani.

Ngushëllimet më të ndjera për bashkëshorten Odeta, fëmijët Ersi dhe Fiona, dhe të afërmit për këtë humbje të madhe!

Presidenti Nishani do të kujtohet gjithnjë si një personalitet me vlera të rralla të një udhëheqësi me integritet dhe vizion.

Kontributi i tij për Shqipërinë dhe demokracinë do të kujtohet përherë me respekt.

I paharruar kujtimi i President Nishanit!

Të prehet në paqen e merituar!’

Lexo edhe: Ndarja nga jeta e ish-presidentit Nishani, vjen reagimi i parë nga PD

Ish-Presidenti i Republikës, ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm, një muaj pasi ishte shtruar në gjendje të rëndë në një spital në Gjermani. Situata shëndetësore e ish-kreut të shtetit u rëndua pas infektimit të tij me COVID-19 dy muaj më parë. Ai vuante nga një sëmundje autoimune në mëlçi dhe nuk arriti t’i tejkalojë pasojat që virusi famëkeq i ka lënë në organizëm.

Siç ka raportuar Abcnews.al Nishani u paraqit në Sanatorium me shenja pneumonie në të dyja mushkëritë për shkak të kalimit të koronavirusit, i cili kishte lënë pasoja të tjera shëndetësore. Pas përkeqësimit të gjendjes së tij shëndetësore, më 22 prill, Nishani u nis drejt Gjermanisë për mjekim, ku edhe dha frymën e fundit pranë familjarëve në moshën 56 vjeçare.

Burime për Abc bënë me dije se Nishani ka pasur fibrozë post COVID, të cilat i kanë shkaktuar ulje të nivelit të oksigjenit në gjak si edhe parametra të tjera problematikë duke bërë të domosdoshme dërgimin e tij jashtë./abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!