Ndarja nga jeta e Henry Kissinger, reagon Rama: Lamtumirë bos

schedule16:46 - 30 Nëntor, 2023

schedule 16:46 - 30 Nëntor, 2023

Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me ndarjen nga jeta të Henry Kissinger, refugjati me origjinë gjermane të Luftës së Dytë Botërore, i cili u bë sekretar i shtetit dhe ndërmjetësi i lartë diplomatik i SHBA-së gjatë gjysmës së dytë të shekullit të 20-të.

Përmes një postimi në “Facebook”, ai i ka dhënë lamtumirën, duke e cilësuar ‘bos’.

Rama ka theksuar se librat e Kissinger do të mbeten një pasuri e paçmueshme e njerëzimit, ndërsa atij personalisht do t’i mbetet mirënjohja për kohën e çmuar që i ka kushtuar.

LAMTUMIRË BOS

Librat Tuaj i mbeten njerëzimit si pasuria e paçmueshme e një eksperience dhe urtësie të rrallë, e do të jenë në dispozicion të kujtdo sot e gjithmonë, që do të dojë të aftësohet mbi marrëdhëniet ndërkombëtare dhe gjeopolitikën; balancat mes fuqive dhe realizmin politik në ruajtjen e paqes e në projektimin e rrugëdaljeve nga konfliktet ndërshtetërore; të menduarit strategjik dhe perspektivën afatgjatë të politikës së jashtme; rolin e shkencës joekzakte të historisë dhe rëndësinë e talentit të individit kur duhen marrë vendime përballë mjegullës së të nesërmes… Mua personalisht do të më mbetet edhe mirënjohja për kohën e çmuar që më kushtuat bujarisht, duke më dhuruar një ndër bisedat më të bukura që mbaj mend.

U prehshi në paqe Dr.Kissinger”, ka shkruar Rama./abcnews.al