Ndalimi i TikTok në SHBA/ Gjykata e Lartë pranon të shqyrtojë argumentat e parashtruar nga aplikacioni

schedule22:36 - 18 Dhjetor, 2024

schedule 22:36 - 18 Dhjetor, 2024

Gjykata e Lartë e SHBA-së ka pranuar të shqyrtojë argumentet ligjore të parashtruar nga TikTok për arsyet se pse aplikacioni nuk duhet të ndalohet ose shitet në SHBA.

Ky reagim vjen pas qëndrimit të fundit të qeverisë së SHBA-së e cila po ndërmerr veprime kundër aplikacionit për shkak të lidhjeve të tij me shtetin kinez, lidhje që TikTok dhe kompania e tij, ByteDance, i kanë mohuar.

Gjykatësit e Gjykatës së Lartë nuk vepruan mbi kërkesën e TikTok për ‘një ndalesë emergjente’ kundër ligjit, por do të lejojnë TikTok dhe ByteDance të paraqesin rastin e tyre më 10 janar, nëntë ditë para se ndalimi të hyjë në fuqi.

Më herët në dhjetor, një Gjykatë Apeli Federale hodhi poshtë përpjekjen për të anuluar legjislacionin, duke thënë se ky ishte “kulmi i veprimeve të gjera dhe dypalëshe nga Kongresi dhe nga presidentët pasardhës”.

E ardhmja e TikTok nuk varet vetëm nga procesi ligjor, por fitorja e Donald Trump në zgjedhjet presidenciale të SHBA mund ta ndikojë gjithashtu.

Megjithatë, TikTok ka mbështetje nga disa organizata për të drejtat civile. Një grup ka bërë një kërkesë të përbashkët në gjykatë, duke kërkuar që të ndalohet bllokimi i një platforme që, sipas tyre, “miliona e përdorin çdo ditë për të komunikuar, për të mësuar rreth botës dhe për t’u shprehur.” / abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!