Ndalimi i pijeve energjike për të miturit, ligji nuk gjen zbatim

schedule15:45 - 8 Shkurt, 2019

schedule 15:45 - 8 Shkurt, 2019

Si shumë ligje të tjera edhe ai që ndalon blerjen e konsumin e pijeve alkoolike e energjike nga të miturit, nuk zbatohet si duhet. Pavarësisht sanksioneve të parashikuara, ligji në realitet duket inekzistent.

Kanë kaluar 3 muaj nga miratimi i ligjit që veç pijeve alkoolike ndalon edhe shitjen e pijeve energjike dhe të gazuara për të miturit. Por në praktikë ai nuk zbatohet. Vetë fëmijët pohojnë se i blejnë dhe i konsumojnë lirshëm këto pije në mjedise publike, pavarësisht moshës se tyre.

Nxënësi: Pijet energjike nuk i blej shpesh, kurse pijet me gaz që nuk janë energjike i pi, por jo shumë herë.”

Pyetje: Pra ti shkon t’i blesh në market pa problem?

Nxënësi: Po.

Pyetje: Po ty të pëlqen të blesh pije enrgjike apo pije me gaz?

Nxënësi: Jo.

Nga ana tjetër edhe qytetarët e shohin si diçka pozitive ndalimin e tregtimit të pijeve energjike dhe atyre me gaz për fëmijët. Ata  theksojnë se në lokale e dyqane duhet të vendosen tabelat përkatëse që tregojnë ndalimin e tyre.

“Duhet t’iu falenderoj juve si media që tregoni interes dhe që kanë të bëjnë me fëmijët tanë. Kam mendimin që pijet energjike te fëmijët nuk duhen shitur sepse vetë tregtarët e dinë që është e dëmshme për fëmijët”.

“Fillon me pijen energjike dhe vazhdon me gjëra të tjera mbrapa, në këtë moshë siç janë këta”.

“Nëpër ambiente të ndryshme ku tregtohen të paktën pijet alkoolike ka tabela që nuk shesim alkool deri në moshën deri 18 vjeç. Nëse ligji thotë që duhet të ndalohet atëherë edhe shitja duhet të ndalohet”.

Në Tetor të vitit të shkuar, parlamenti miratoi ndryshimet në ligjin e Prillit të 2006-s, “për përdorimin e pijeve alkoolike nga të miturit”, duke i shtuar atij edhe pijet energjike dhe ato të gazuara.

Ligji përcakton edhe sanksione që parashikojnë gjobë 10-30 mijë lekë për të gjithë ata që ofrojnë pije alkolike, energjike dhe të gazuara për fëmijët.

Po ashtu reklamimi i këtyre pijeve, sipas ligjit të miratuar, dënohet me gjobë 100-200 mijë lekë e kur pjesë e reklamës janë edhe të miturit, vlera e gjobës arrin deri në 300 mijë lekë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!