Ndalimi i bixhozit, Spiropali: 50 mln Dollarë janë kursyer nga shtëpitë e shqiptarëve

schedule11:27 - 5 Shkurt, 2019

schedule 11:27 - 5 Shkurt, 2019

Zëdhënësja e qeverisë, njëkohësisht ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali publikoi bilancin e muajit të parë pa bixhoz në të gjithë vendin. Sipas saj vetëm në muaujin janar në shtëpitë e shqiptarëve janë kursyer rreth 50 milionë Dollarë nga mbyllja e kazinove dhe lojërave të fatit.

 

Ia kanë kursyer paratë lojtarëve të llotove e kazinove. Kështu u thotë zëdhënësja e qeverisë, Elisa Spiropali, në bilancin e muajit të parë pa bizhoz në të gjithë vendin.

Pra në Janar 2019, për shkak të ndalimit të bixhozit afro 50 milionë Dollarë janë kursyer nga shtëpitë e shqiptarëve”, tha ajo.

Përveç parave të kursyer zëdhënësja e qeverisë flet edhe për biznese të reja të hapura në të njëjtët hapësira, ku ushtronin veprimtari bastet sportive e kazinotë elektronike.

“Rezultojnë të mbyllura 4364 adresa ku zhvillohej veprimtari bixhozi. Në Dhjetor-Janar rezultojnë të regjistruara 2688 biznese të reja të vogla”, u shpreh Spiropali.

Në daljen e saj publike e kishte me merak t’i kthente një përgjigje edhe akuzave të opozitës për ngjarjen e rëndë në Kavajë, ku një e mitur është përdhunuar në grup nga bashkëmoshatarë të saj.

“Është një rast tmerrësisht i rëndë që ka nevojë për gjithë vëmendjen e Prokurorisë, për t’u hetuar deri në fund të gjitha instancat dhe fajtorët për t’u vënë përpara ligjit. Ajo që ndodh me përdorimin e këtij rasti në teatrin e ulët politik që kemi parë këto ditë dhe nuk u besoja syve kur lexoja deklaratën e Partisë Demokratike, është vetëm një dëshmi e qartë e dëshpërimit opozitar që nuk ngurron të përdorë raste të tilla për ushqimin politik të ditës”, u shpreh ajo.

Zëdhënësja e qeverisë, njëherësh edhe ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin tha se të tilla raste, fatkeqësisht ndodhin edhe në vende shumë të zhvilluara, por sipas saj asnjë parti nuk del ta përdorë rastin për politikë dhe për të gjetur fajtorin te qeveria./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!