“Kuqezinjtë” e Milan janë duke kaluar një moment tejet të vështirë rezultatesh, në këtë pikë të sezonit, teksa përveç se nuk njeh fitoren prej 3 ndeshjesh në kampionat, ende nuk ka shënuar golin e parë të sezonit të UEFA Champions League, duke u renditur në vendin e fundit të grupit F, me vetëm 2 pikë, pas 2 barazimeve ndaj Neëcastle e Borussia Dortmund.
Mbrëmen e së martës, “Djajtë” e Milanos do të zhvillojnë përballjen e 4-t të fazës së grupeve të Champions League, teksa do të presë në mitikun “San Siro”, “gjigantët” francezë të Paris Saint-Germain, ndeshje e cila pritet të jetë vendimtare për të ardhmen e “kuqezinjve” në këtë kompeticion.
Siç e do zakoni një ditë para sfidës u zhvillua edhe konferenca e zakonshme për shtyp, nga ku tekniku Stefano Pioli u shpreh se pavarësisht se ndaj Udinese-s i zhgënjyen të gjithë, ndaj PSG do të jetë pika e kthesës së rezultateve.
“Kundër Udinese ne i zhgënjyem të gjithë, para së gjithash veten tone. Nëse tifozët na ofenduan, kjo ndodhi sepse ne bëmë shumë keq. Ndaj PSG-së mund të jetë ndeshja e kthesës. Milani im dëshiron të luajë një ndeshje të shkëlqyer dhe ne do të kemi nevojë të jemi të vëmendshëm për 90 minuta. Do të duhet t’i shfrytëzojmë mirë mundësitë tona”,- u shpreh tekniku italian. /i.m /abcnews.al