“Ndaj Shqipërisë do të jetë e vështirë”, Scamacca: Shpresoj të ndihmoj sa më shumë skuadrën

schedule17:56 - 13 Qershor, 2024

schedule 17:56 - 13 Qershor, 2024

Do të jetë padyshim një përballje e zjarrtë. Siç e kemi thënë e stërthënë ditët e fundit, mbrëmjen e 15 qershorit, “Legjionarët” e Kombëtares sonë do të sfidojnë në “mitikun” e Dortmundit, “Signal Iduna Park”, kampionët në fuqi të Evropës, Italinë, në sfidën e parë të vlefshme për fazën e grupeve të Kampionatit Evropian të futbollit, Euro 2024.

Së fundmi, në konferencën për shtyp, në prag të kësaj ndeshjeje është paraqitur edhe rreziku kryesor i sulmit italian, Gianluca Scamacca, i cili theksoi se përsa kohë Shqipëria është kualifikuar në Evropian atëherë duhet trajtuar me seriozitet ashtu si çdo kombëtare tjetër e ndër të tjera, shtoi se ai nuk është një përtac në fushë pavarësisht se ky emërtim vjen nga Spalletti.

“Jemi një grup me lojtarë të rinj, por është koha të tregojmë veten. Jemi gati dhe forcën tonë do ta tregojmë në Evropian. Unë ndjehem mirë dhe shpresoj që ta ndihmoj skuadrën të shkoj sa më larg.

Çfarë më frikëson nga Shqipëria? Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, edhe pse në këtë pikë nuk ka ndeshje të lehta. Të gjitha skuadrat pjesëmarrëse që janë këtu, janë me meritë dhe kjo do të thotë se kanë cilësi. Italia duhet të përqëndrohet te vetja dhe të shprehë më të mirën në fushë.

Spalletti tha se jam një përtac? Derisa kam ardhur këtu me Italinë do të thotë se nuk jam i tillë. Por, jam i bindur se trajneri e ka thënë këtë për të më motivuar dhe për mua nuk ka problem. Megjithatë, e theksoj se nuk jam një përtac”,- u shpreh “bomberi” italian. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!