Ndahet nga jeta Thimio Kondi, Gjykata e Lartë mesazh ngushëllimi

schedule12:05 - 26 Gusht, 2020

schedule 12:05 - 26 Gusht, 2020

Gjykata e Lartë ka shprehur ngushëllimet ditën e sotme për ndarjen nga jeta të ish-kreut të Gjykatës së lartë njëkohësisht dhe ish-ministrit të Drejtësisë Thimjo Kondi.

Në mesazhin e ngushëllimit Gjykata shprehet se “Z.Thimjo Kondi ka qenë një nga figurat më të rëndësishme të drejtësisë shqiptare duke dhënë kontributin e tij të shkëlqyer në disa drejtime të së drejtës dhe se ndarja e tij nga jeta, ka trishtuar shumë bashkëpunëtorë të tij, kolegë e miq, në Gjykatën e Lartë”.

Kush ishte Thimio Kondi?

Ish kryetari i Gjykatës së Lartë dhe ish-ministri i Drejtësisë Thimjo Kondi ishte i diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë në Tiranë në vitin 1977.

Nga viti 1978 deri në vitin 1982, ka ushtruar detyrën Gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Fier.

Në vitet 1982-1990 ka ushtruar detyrën si specialist në Sektorin e Studimeve në Gjykatën e Lartë dhe gjatë viteve 1990 – 1992 ka qenë Drejtor i Drejtorisë së Studimeve në Ministrinë e Drejtësisë.

Në vitet 1995 – 1997 ka ushtruar profesionin e avokatit pranë Qendrës Shqiptare të të Drejtave të Njeriut.

Në vitet 1992 – 1994 ka ushtruar funksionin e Gjyqtarit në Gjykatën Kushtetuese.

Në vitet 1997 – 1999 ka ushtruar detyrën Ministër i Drejtësisë.

Në vitet 1999 – 2008, Z. Kondi ka ushtruar detyrën Kryetar i Gjykatës së Lartë. Gjatë viteve 1999 – 2008 Z. Kondi ka ushtruar funksione dhe detyra ex-officio të tilla si Anëtar i Këshillit Të Lartë Të Drejtësisë, Kryetar i Bordit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës, Kryetar i Konferencës Gjyqësore Kombëtare. Gjatë viteve 2008- 2013 ka ushtruar profesionin si Avokat.

Kondi ishte Anëtar i Bordit Këshillimor të Shoqatës Ndërkombëtare për Administrimin e Gjykatave./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!