Ndahet nga jeta regjisori i filmave të njohur shqiptarë

schedule09:51 - 15 Janar, 2020

schedule 09:51 - 15 Janar, 2020

Është ndarë nga jeta në moshën 86-vjeçare regjisori i njohur shqiptar Fehmi Hoshafi. Lajmin e hidhur e ka bërë me dije Qendra Kombëtare e Kinematografisë.

Hoshafi ka qenë regjisori i filmave shumë të dasur për publikun shqiptar: ‘Kapedani’, ‘Shoku ynë Tili’, ‘Zëvëndësi i grave’, etj.

Njoftimi nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë:

Ndahet nga jeta regjisori i mirënjohur shqiptar Fehmi Hoshafi.

Qendra Kombëtare e Kinematografisë i shpreh ngushëllimet familjes.

Fehmi Hoshafi lindi më 28 shtator të vitit 1934 në Tiranë.

Ai filloi të punojë në kinematografi si asistent i regjisorëve veteranë Hysen Hakani dhe Kristaq Dhamo, në filmat e tyre Toka jonë, 1964; Vitet e para, 1965; Oshëtimë në bregdet, 1967; Gjurma, 1970.

Në vitin 1968 realizoi vetë spektaklin “Estrada në ekran”, i cili u xhirua nga Kinostudio në formën e një filmi artistik. Prej suksesit që pati ky film, iu besua më vonë, në vitin 1972, regjia për kinokomedinë aq të dashur “Kapedani”, të cilin e realizoi së bashku me regjisorin Muharrem Fejzo. Ky film shënon lindjen e kinokomedisë në kinematografinë shqiptare e që u pasua më vonë me kinokomedi të tjera po aq të dashura nga regjisori Hoshafi: Ëndërr për një karrige, 1984 dhe Zëvendësi i grave, 1987.

Në periudhën 1976 – 1990 realizon edhe filma të tjerë artistikë dhe dokumentarë, ndër të cilët, filmi Shoku ynë Tili.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!