Është ndarë nga jeta Michele Merlo, i njohur me emrin e artit si Mike Bird, ish-konkurrent i Amici dhe X Factor në Itali. Ai ndodhej i shtruar në repartin e kujdesit intensiv të Spitalit Maggiore në Bolonja, ku nuk ia doli të mbijetonte.
Mbrëmjen midis të enjtes dhe të premtes, ai u godit nga një hemorragji cerebrale e shkaktuar nga një leuçemi e rëndë dhe iu nënshtrua një operacioni delikat.
Para shtrimit në urgjencë këngëtari u dërgua në shtëpi nga spitali, ku sipas familjarëve, simptomat që ai po paraqiste për disa ditë ishin interpretuar si një formë e parëndësishme virale.
Ndërkohë babai i 28-vjeçarit, Domenico u shpreh: “Ai shkoi në dhomën e urgjencës në Vergato në autonomi të plotë. Po ankohej për simptomat që një mjek i aftë duhet t’i kishte vënë re. Kishte një migrenë të rëndë për ditë me radhë, dhimbje qafe dhe pllaka në fyt, një shenjë tipike e leuçemisë. Nëse do ta kishin vizituar, do ta kishin parë që ai kishte hematoma. Ne nuk kemi një raport mjekësor. Ai luante sport, nuk pinte alkool, kurrë nuk përdorte drogë, i pëlqente jeta e mirë, të hante mirë, gjërat e mira“. l.k/abcnews.al