Ndahet nga jeta në moshën 100 vjeçare Gjeneral Rrahman Parllaku

schedule08:08 - 16 Shtator, 2019

schedule 08:08 - 16 Shtator, 2019

Ndahet nga jeta në moshën 100 vjeçare, gjenerali Rrahman Parllaku. I konsideruar si gjenerali i tri epokave, Parllaku mbante titujt Hero i Popullit dhe Nderi i Kombit, lindi në Novosej të Kukësit më 17 prill 1919.

Rrahman Parllaku ishte një nga udhëheqësit e njësiteve guerrile të qytetit të Vlorës në vitet 1942-1943 dhe më pas doli në mal ku luftoi deri në çlirimin e vendit, e madje edhe në luftën për çlirimin e trojeve të Kosovës.

Pas çlirimit gjeneral Parllaku punoi në Ministrinë e Mbrojtjes, por karriera iu ndërpre, pasi regjimi i Enver Hoxhës e dënoi me 30 vjet burg, si pjesëtar i së ashtuquajturit “Grupi Puçist i Ushtrisë”, së bashku me Beqir Ballukun, Petrit Dumen e Hito Çakon, që u dënuan me pushkatim.

Me daljen nga burgu pas 17 vitesh, nuk pranoi amnistinë e Ramiz Alisë, si  burgosur politik, por ndoqi rrugën gjyqësore dhe fitoi pafajësinë në vitin 1994.

Në vitet e demokracisë ai drejtoi Organizatën e Bashkuar të Veteranëve të LANÇ-it, shkroi shumë libra për historinë e luftës, ndërsa në vitin 1999 edhe pse në moshë të thyer shkoi në në mbështetje të UÇK dhe të veprimeve luftarake të NATO-s në Kosovë.

Në 100 vjetorin e lindjes, pak muaj më parë, mori titullin “Simbol i qytetit të Tiranës”, si një simbol i gjallë i kujtesës patriotike, qytetare dhe historike dhe një nga figurat emblematike të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, që sfidoi edhe regjimin e diktaturës komuniste. /ABC News Albania 24/7