Në “Ora e Fundit” në ABC News, politologu Roland Bejko dhe analisti Edmond Petraj komentuan lajmin e trishtë për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit dhe liderit historik të Partisë Socialiste, Fatos Nano.
Ata vlerësuan kontributin e tij në politikën shqiptare, duke theksuar rolin e Nanos në konsolidimin e demokracisë brenda Partisë Socialiste dhe në jetën politike të vendit.
Sipas Roland Bejkos, Nano ishte një figurë me kontraste, por mbi të gjitha një demokrat i vërtetë që pranoi rotacionin politik dhe votoi për reforma të thella në parti, ndryshe nga rivali i tij politik, Sali Berisha.
Roland Bejko: Ka një kontribut shumë të madh në historinë politike shqiptare. Te Fatos Nano është një politikan që gjen shumë elemente të mira. Gjen një kontrast shumë të fortë. Një nga gjërat pozitive që e pranojnë të gjithë është që brenda Nanos ishte një demokrat i vërtetë të PS. Pranoi rotacionin politik, futi demokracinë, dhe solli një reformë. Kontrasti me Berishën është se pranoi votën në parti. Berisha nuk e ka bërë dot këtë brenda partisë së tij. Brenda PD-së nuk ka votë të lirë dhe të ndershme.
Ndërsa Edmond Petraj e cilësoi Nanon si një nga modelet më të mira të politikës shqiptare, duke theksuar se ai vendosi themelet e një force politike moderne dhe europiane si Partia Socialiste.
Edmond Petraj: E cilësoj si një nga modelet më të mira të politikës shqiptare. Një nga politikanët më të mirë të historisë shqiptare. Vuri një model të PS, e cila ngelet forca më modele dhe më europiane. Në PS shikohet një progres dhe kjo i takon Nanos./abcnews.al

