Ndahet nga jeta Aneta Rama, kryeministri: Ishe drita e guri këndor i shtëpisë, prehu në paqe mam

schedule09:03 - 1 Gusht, 2020

schedule 09:03 - 1 Gusht, 2020

Aneta Rama është ndarë nga jeta në moshën 82-vjeçare. Lajmin e ka dhënë vetë kryeministri me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook

Në postimin e tij, Rama shkruan se “derisa të shoh dot diellin e yjet do të jesh me mua, e bukur dhe e fortë si askush”.

Postimi në Facebook:

“Ishe drita dhe guri këndor i shtëpisë ku u rritëm e u bëmë burra, e ku mbetëm gjithnjë fëmijë. E di, që deri sa të shoh dot diellin e yjet do të jesh me mua, e bukur dhe e fortë si askush. Do të na mungosh shumë, por asgjë më shumë nuk bëje dot për ne sesa e pamundura, që bëre plot përkushtim gjithë jetën, prandaj prehu në paqe mam🙏”

Vëtëm një ditë më parë, më 31 korrik, kryeministri Rama kujtoi babain e ndjerë Kristaq Rama. Nëse do të ishte gjallë, Kristaq Rama do të mbushte 88-vjeç.

“Im atë sot do të mbushte 88, nëse një goditje fatale në zemër nuk do t’ia kishte ndërprerë befasisht rrugëtimin në këtë botë plot 22 vjet më parë, kur vdekja e tij më solli në Tiranë e më ndryshoi rrugëtimin tim. Por kjo është një histori tjetër. Sot, si në çdo 31 korrik, kur unë e kujtoj me sytë e lagur tim atë, më rri përpara syve buzëqeshja e tij paqësore e pas çdo debati luftarak mes nesh gjatë viteve të rinisë sime të parë – kur unë flisja gjithnjë e më shumë dhe ai rezistonte gjithnjë e më pak. Prej meje, jetës sime në politikë, e cila nisi në ditën e funeralit të tij, arsyeja e mosarsyes politike ka sjellë shumë baltë mbi emrin e tim eti pas vdekjes,” shkruante kreu i qeverisë në postimin e tij. /abcnews.al/