Ndahen materialet zgjedhore/ Mbërrijnë në Fier, Shkodër dhe Elbasan

schedule15:21 - 7 Maj, 2025

schedule 15:21 - 7 Maj, 2025

Në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, ka nisur shpërndarja dhe sistemimi i materialeve zgjedhore në disa qarqe të vendit. Në qarkun e Fierit, në të gjitha 9 Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor ka mbërritur baza materiale zgjedhore, përfshirë kamera dhe ekrane, ndërsa është vendosur edhe rrjeti monitorues për ndjekjen e procesit zgjedhor.

Në KZAZ numër 60 në qytetin e Fierit, që është edhe më e madhja në qark, janë marrë të gjitha masat për administrimin e procesit të votimit dhe numërimit. Kjo KZAZ mbulon 97 qendra votimi, ku pritet të votojnë afro 75 mijë qytetarë.

Edhe në qarkun e Elbasanit ka nisur shpërndarja e materialeve zgjedhore në disa bashki. Procesi po zhvillohet nën masa të rrepta sigurie, njësoj si në qarqet e tjera të vendit.

Elbasani ka 10 KZAZ dhe gjithsej 511 qendra votimi. Ndërkohë, në qarkun e Shkodrës, që përfshin 7 KZAZ, shpërndarja ka përfunduar në pjesën më të madhe të territorit.

Ndërsa vendi hyn në fazën finale të përgatitjeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe strukturat në terren po punojnë për të garantuar një proces të rregullt për të gjithë votuesit. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!