NBA/ Shkëlqejnë “yjet” e Ballkanit, Jokic e Luka Doncic mbyllën sfidat e fundit me tre shifra dopjo

schedule11:36 - 8 Mars, 2024

schedule 11:36 - 8 Mars, 2024

Nuk kanë nevojë për prezantim, por për elozhe padyshim që po. Nikola Jokic dhe Luka Doncic vazhdojnë të konfirmojnë formën e shkëlqyer në këtë sezon të NBA dhe të përfaqësojnë në mënyrën më të denjë basketbollin ballkanas. Numra mbreslënës për të dy lojtarët në brëmjen e fundit të basketbollit amerikan.

Jokic ndihmoi Denver Nuggets të fitojë ndeshjen e madhe kundër Boston Celtics, me kampionët në fuqi të NBA, që imponuan rezultatin 115-109 ndaj kryesuesëve të Konferencës së Lindjes. Në këtë triumf mertitën më të madhe e kishte basketbollisti serb, që mbylli ndeshjen me tre shifra dopjo, 32 pikë, 21 topa të kapur në tabelë dhe 11 asist.

Kjo paraqitje e bëri të pavlefshme ndeshjen e Jaylen Brown. “Ylli” i Celitcs ishte shënuesi më i mirë i mbrëmjes me 41 pikë, i cili po ashtu kapi edhe 14 topa në tabelë, por kaq nuk mjaftuan për të evituar humbjen e Boston, që gjithsesi ruan kreun në Lindje.

Në të njëtin nivel edhe paraqitja e Luka Donçiç në fitoren e Dallas Mavericks kundër Miami Heat me rezultatin 114-108. Slloveni e mbylli ndeshjen sërish me tre shifra dopjo. Për të 35 pikë, 11 topa të kapur në tabelë dhe po aq asist. Falë tij, Mavericks u kthyen te suksesi pas tre humbjeve radhazi, ndërsa vetë Doncic i bën vend vetes në garën për “MVP” të sezonit në NBA, ku ka qenë gjithmonë i nënvlerësuar.  /i.m /abcnews.al