Historia e NBA është e mbushur me yje nga Ballkani, Drazen Petrovic, Vlade Divac apo Toni Kukoc, sa për të përtmendur disa prej atyre që kanë lënë shenjë në basketbollin amerikan. Historia përsëritet dhe tani janë dy të tjerë, që po e përfaqësojnë në një tjetër nivel basketbollin ballkanas në kampionatin më të fortë dhe më spektakolar të globit.
Luka Doncic dhe Nikola Jokic janë protagonistë absolutë në këtë sezon, ndërsa po sfidojnë yjet e tjerë të NBA në garën për titullin “MVP”. Në mbrëmjen e fundit, të dy shkëlqyen sërish, duke bërë paraqitje mbreslënëse.
Doncic vendosi fitoren e Dallas Mavericks në transfertën kundër Chicago Bulls, me sllovenin që shënoi 27 pikë, kapi 12 topa në tabelë dhe dha 14 asist për shokët e skuadrës. Numra të çmendur, që mbajnë lart mesataren në të gjithë komponentët e lojës.
Në këtë sezon, Doncic ka një mesatare të frikshme shënimi me 34.6 pikë për ndeshje, si dhe afërsisht 10 ribaund dhe po aq asist. Këto numra e bëjnë Doncic, që të fshijë çdo nënvlerësim mbi kandidaturën e tij në garën për titullin e “Më të Mirit të Sezonit” në NBA.
I njëjti dikutim vlen edhe për Nikola Jokic, me serbin, i cili gjithashtu e mbylli ndeshjen e fundit me tre shifra dopjo, duke ndihmuar Denver Nuggets në fitoren kundër Toronto Raptors. Ai shënoi 35 pikë, kapi 17 topa në tabelë dhe dha 12 asist për kampionët në fuqi të basketbollit amerikan.
Këto numra i shtohen një sezoni spektakolar. Jokiç ka një mesatare 26.2 pikë për ndeshje, ndërsa është i pakapshëm poshtë koshit me 12.3 ribaund në çdo sfidë. Sezonin e shkuar, basketbollisti serb fitoi titullin kampion me Denver, por gjithsesi nuk arriti të fitojë garën personale për trofeun e “MVP”. Ndoshta për herë të parë në historinë e NBA, ky titull mund të diskutohet mes dy basketbollistëve nga Ballkani. /i.m /abcnews.al