NBA ofroi dy ndeshje të mëdha për Krishtlindje

schedule15:17 - 26 Dhjetor, 2017

schedule 15:17 - 26 Dhjetor, 2017

Basketbolli amerikan e bëri më të bukur festën e Krishtlindjeve për publikun amerikan. Dy ndeshje të mëdha u luajtën pikërisht në mbrëmjen e shënuar dhe u vendosën nga yjet Durant e Uestbruk

Sfidat sikur ishin zgjedhur me dorë.

NBA ofronte për publikun amerikan dhe botëror dy superndeshje në mbrëmjen e Krishtlindjeve në SHBA.

Ato ishin Golden Stejt-Klivlend dhe Oklahoma-Hjuston.

Fitoret ishin të vendasve, të udhëhequr nga yjet e tyre Kevin Durant dhe Rasëll Uestbruk.

Në Arenën e Oklendit u riluajt finalja e vjetshme e kampionatit, por ku mungonte Stefën Kërri.

Kjo ia vështirësoi punën Golden Stejtit që, për fat, pati një treshe të madhe si Durant-Grin-Tompson, ndërsa në krahun tjetër nuk mjaftuan Lebron Xhejms, Kevin Lov dhe Duejn Uejd.

Në suksesin 99-92, Durant shënoi 25 pikë, kapi 7 topa në tabela, shërbeu 3 asistë, vodhi dy topa dhe bllokoi 5 gjuajtje të kundërshtarëve duke treguar talentin e tij të rallë.

Drejmond Grin realizoi tripëll dabëllin e parë të sezonit me 12 pikë, 12 topa në tabela e 11 asistë, por edhe vodhi dy topa dhe bllokoi një gjuajtje, ndërsa Klej Tompson pati 24 pikë e 7 topa në tabela.

Lebron u mbulua fort dhe mundi të shënonte vetëm 20 pikë, me 6 topa në tabela e 6 asistë, në një mbrëmje “të qetë” për të.

Kevin Lov u përpoq shumë me 31 pikë e 18 topa në tabela, por nuk ia doli i vetëm, ndërsa Uejd shënoi13.

Natyrisht, kjo nuk ishte vendimtare për titull, pasi të dyja skuadrat mbeten në pozicione shumë të favorshme në Konferencat përkatëse, në Perëndim dhe në Lindje.

Në Oklahomë, Uestbruk shënoi 31 pikë, por nuk arriti dot tek tripëll dabëlli i 12-të sezonal.

Vërtet dhuroi 11 asistë, por kapi “vetëm” 6 topa në tabela.

Pol Xhorxh shtoi 24 pikë dhe Karmelo Entoni edhe 20 të tjera për suksesin 112-107.

Më në fund, skuadra vendase po duket nga ato që mund të pretendojë të paktën finalen e Konferencës, për herë të parë që nga largimi i Durantit.

Për Hjustonin shkëlqeu si gjithnjë Xhejms Harden me 29 pikë, 8 topa në tabela e 14 asistë, edhe pse nuk mjaftoi.

Gjithsesi, sezoni i ekipit nga Teksasi mbetet i madh, duke luftuar barabar me Golden Stejtin për kryesimin në Perëndim./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!