Cleveland dhe Oklahoma vazhdojnë dominimin në këtë sezon të rregullt të NBA.
Kavaliers i shtuan një tjetër fitore serisë rekord, duke kaluar me 12 pikë diferencë Denver Nuggets në rezultatin e përgjithshëm 126-114.
Donovan Mitchell ishte edhe një herë njeriu i suksesit me 28 pikë, ndërsa skuadra nga Ohajo vazhdon të kryesojë bindshëm Konferencën e Lindjes. Nga ana tjetër, për Denver nuk mjaftoi i zakonshmi Nikola Jokic, që thelloi rekordin e tij personal, duke mbyllur sfidën me “triple-double” të radhës, 27 pikë, 20 topa në tabelë dhe 11 asist për shokët e skuadrës.
Ashtu si Cleveland në Lindje, Oklahoma vijon të bëjë ligjin në Konferencën e Perëndimit.
“Thunders” kaluan me lehtësi transfertën kundër Toronto Raptors, duke imponuar 37 pikë diferencë në shifrat përfundimtare 92-129, edhe një herë Shai Gilgeous-Alexander u shfaq në formatin “MVP”, duke shënuar 30 pikë në fitoren e Oklahoma.
Në mbrëmjen e fundit të NBA, Golden State i dha fund serisë negative dhe pas pesë humbjeve radhazi u kthye te suksesi kundër Houston Rockets.
“Warriors” fituan 99-93 në sfidën me më pak pikë të mbrëmjes, kjo edhe për shkak të mungesave të rëndësishme si ato të Curry dhe Green. Wiggins ishte shënuesi më I mirë për skuadrën nga San Françisko me 23 pikë.
Një fitore të rëndësishme siguroi edhe Dallas.
Të udhëhequr nga Luka Doncic, nënkampionët e sezonit të shkuar kaluan 101-137 transfertën kundër Washington. Basketbollisti slloven ishte më i miri në parket, pasi mbylli sfidën me tre shifra dopjo, 21 pikë, 10 asist dhe po aq topa të kapur në tabelë. /abcnews.al