Sikur e kishin harruar kohët e fundit. Basketbolli amerikan ka shumë lojtarë klasi nga Europa e duket se Alperen Shengyn po tërhiqte vëmendjen më pak se një Luka Doncic, Nikola Jokic apo Viktor Uembanijama.
Gjithsesi, në duelin që Hjuston Rokits e fituan në fushën e Nju Orlinsit, ai ua kujtoi të gjithëve se çfarë talenti ka. Në vetëm 32 minuta në fushën e lojës, Alperen bëri një paraqitje kaq të plotë saqë shumë pak basketbollistë në NBA mund të mburren se ia dalin.
Njëzetetrevjeçari shënoi plot 36 pikë, kapi 13 topa në tabela, shërbeu 7 asistë, dhe u shtoi edhe 3 vjedhje topi e 3 bllokime gjuajtjesh. Jo vetëm kaq, por pati një saktësi të jashtëzakonshme në gjuajtjet nga tri pikë, duke shënuar 5 nga 6 tentativa.
Hjustoni ia doli ndaj Pelikanëve me shifrat 134-102, duke dominuar plotësisht e natyrshëm që meritën kryesore e pati Alperen Shengyn. Basketbollisti i Turqisë ka një mesatare të shkëlqyer gjatë sezonit dhe për çdo ndeshje këtë sezon ka 20.7 pikë, 9 topa në tabela e 6.2 asistë, madje me saktësi nga loja mbi 50 për qind./abcnews.al


