Duhet ta mbajmë mend këtë emër.
Quhet Kuper Flag, është amerikan dhe tepër i ri, por duket sikur ka kohë që luan në NBA.
Baskebollisti 19-vjeçar shënoi 45 pikë ndaj një gjigandi si Los Anxhelos Lejkërs, duke i dhënë fitoren Dallasit, e duke ndërprerë serinë prej 14 humbjesh radhazi në shtëpi, më e rënda në 32 vjet.
Skuadra nga Teksasi fitoi 134-128, dhe Flag shtoi 8 topa në tabela, 9 asiste, 2 vjedhje topi e 1 bllokim gjuajtjeje.
Tepër I kompletuar kur mendon moshën dhe se luan në sezonin e parë në NBA.
Përballë pati Mbretin e basketbollit, Lebron Xhejmsin, i cili gjithashtu bëri gjithçka.
Shënoi 30 pikë, kapi 9 topa në tabela e shërbeu 15 asistë, duke qenë pranë tripëll dabëllit.
Për fat të keq, Liqenasit nuk kishin yllin kryesor, Luka Doncic, që ishte i dëmtuar dhe që e ka mbyllur me sezonin e rregullt, madje rrezikon që të jetë në plej ofi.
Humbja bëri që Lejkërsat të barazohen me Denverin dhe të rrezikojnë edhe vendin e katërt, sepse Hjustoni po fiton.
Duke u kthyer te Kuper Flag, duhet të themi se ai duket si shpresa e re amerikane në një ligë të dominuar nga yjet e huaj si Doncic, Jokic, Uembanijama, Shei Gilgës Aleksandër, Alperen Shengyn apo Janis Adetokumbo.
Vetëm 19 vjeç, 2.06 metra shtatlartë, dhe me mesatare të sezonit 21.1 pikë, 6.6 topa në tabela e 4.6 asistë për ndeshje.


