Është padyshim sezoni i tyre. Dy ballkanas, si Nikola Jokic e Luka Doncic, i kanë dhënë NBA-së ritmin e tyre, ndërsa po shkëlqejnë thuajse në çdo element të basketbollit. Njëri prej këtyre elementëve është edhe “triple double”, pra kur ke mbi 10 pikë, 10 topa në tabelw e 10 asistë për ndeshje. Jokiç realizoi arritjen e radhës në fitoren e Denverit ndaj Nju Jorkut, 113-100.
Ai shënoi 30 pikë, kapi 14 topa në tabela e shërbeu 11 asistë. Nikola Jokiç ka 128 “triple double”, duke qenë tani vetëm 10 “triple double” larg podiumit të NBA-së në të gjitha kohët, me Magic Johnson, në vend të tretë, ka arritur deri në 138.
Kapiteni Denver ka realizuar 22 “triple double” vetëm këtë sezon, ndonëse nuk besohet të arrijë rekordin e Rusell Westbrook që ka 42. Sidoqoftë, duket e sigurt që Jokic do të kalojë rekordin e të gjitha kohëve të Westbrook me 198 të tilla.
Ndërkaq, Ballkani ka edhe një përfaqësues tjetër në këtë kategori, dhe ky është Luka Doncic. Shënuesi më i mirë i sezonit në kampionatin amerikan të basketbollit këtë sezon, ka arritur në 74 tripëll dabëlla duke qenë shumë më i ri në moshë se Jokic. Kjo edhe pse nuk ia doli në suksesin e Dallasit 113-97 kundër Utah Jazz.
Ai ka lënë prej kohësh pas legjendën Larry Bird, dhe është vetëm 2 “triple double” poshtë James Harden. Pak më lart është legjenda tjetër e madhe, Wilt Chamberlain, me 78 të tilla. Doncic është shënuesi më i mirë i edicionit në NBA me 34.1 pikë për ndeshje në sezonin e rregullt, dhe ka mesatare pranë tripëll dabëllit, me 9 topa në tabela e 9.8 asistë për ndeshje.
Jokic, ndërkaq, ka më pak kontribut në kosh, me 26.1 pikë për ndeshje, por këtyre u shton 12.3 topa në tabela e 9 asistë për çdo sfidë. Me dyshen ballkanase afrohet edhe Domantas Sabonis. Djali i legjendës lituaneze, Arvidas Sabonis, ka 56 “triple double”, duke qenë në vend të 11-të për të gjitha kohët, ndonëse padyshim që do të hyjë ndër 10 më të mirët. /i.m /abcnews.al